BOMBË / Elisa Spiropali i del kundër PS-së: “Nëse kritika është faj, më përjashto”
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka publikuar një status të fortë ku kritikon ashpër mënyrën se si po funksionon Partia Socialiste, qeveria dhe shteti.
Në reagimin e saj, Spiropali thotë se debatet e brendshme nuk duhet të shndërrohen në spektakël ndëshkimor publik. “Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi,” shkruan ajo.
Kryeparlamentarja thekson se kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, por dorëzim.
“Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto. Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik,” deklaron Spiropali.
Ajo sqaron se nuk ka sulmuar Partinë Socialiste, por ka kritikuar modelin që sipas saj po e dëmton partinë. “Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli, ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik.”
Spiropali ngre shqetësimin se në PS kritika po trajtohet si devijim. “Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim. Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë. Është krizë kulture politike.”
Ajo rendit disa nga qëndrimet e saj: “Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto. Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto. Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model ‘drejtorokracie’, më përjashto.”
“Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim. Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë. Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë,” thekson ajo.
Spiropali kritikon edhe automatizmin e votave në Parlament. “Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër.”
“Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto. Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër të saj,” përfundon reagimi i Spiropalit.
Ajo ngre pyetje të forta: “Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?”
“Kërcënimi për përjashtim nga grupi më shqetëson më pak se ideja se mund të normalizohet mendimi që një grupim politik duhet të funksionojë përmes frikës. Një formacion politik ku askush nuk kundërshton, nuk është i fortë. Është i heshtur dhe duhet ruajtur nga zgripi,” përfundon Spiropali.
