Gjilan: Inspektorët gjobisin dy kompani për ndotjen e rrugëve me beton
Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjoba ndaj dy subjekteve afariste, automjetet e të cilave kanë ndotur rrugët publike me beton, pas ankesave të paraqitura nga qytetarët.
Nga Drejtoria për Inspekcion bëhet e ditur se, pas verifikimit të rasteve në terren, janë ndërmarrë masat e parapara ligjore ndaj kompanive përgjegjëse për ndotjen e hapësirave publike.

“Ftojmë të gjithë shoferët dhe operatorët ekonomikë që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes të shtuar për ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike. Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët, ndërsa mirëmbajtja e tyre mbetet përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në njoftimin e inspektorëve komunalë.
Drejtoria për Inspekcion thekson se ekipet inspektuese vazhdojnë të jenë në terren dhe se do të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj çdo individi apo subjekti që cenon pastërtinë e mjedisit dhe hapësirave publike.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e ngjashme, në mënyrë që të parandalohet ndotja dhe të ruhet rendi në hapësirat e përbashkëta.
