Vjedhja rekord e kriptovalutave: 6.3 miliardë dollarë u transferuan brenda 20 minutash, dyshimet bien mbi Korenë e Veriut
Një sulm i sofistikuar kibernetik ndaj platformës Binance ka rezultuar me vjedhjen e rreth 6.3 miliardë dollarëve në kriptovaluta. Ekspertët e sigurisë kibernetike dyshojnë se pas sulmit qëndron grupi i hakerëve TraderTraitor, i lidhur me Korenë e Veriut.
Pjesa më e madhe e mjeteve financiare u transferua brenda vetëm 20 minutash, të enjten, më 29 tetor, ndërsa përgatitjet për sulmin kishin zgjatur të paktën 36 orë.
Sipas Reuters, kompanitë amerikane të analizës së blockchain-it, TRM Labs dhe Chainalysis, vlerësojnë me shkallë të lartë besueshmërie se sulmi është kryer nga grupi TraderTraitor, i lidhur me Korenë e Veriut.

TRM Labs ka identifikuar transferimin e rreth 6.36 miliardë dollarëve nga kuletat digjitale të Binance në dhjetë rrjete të ndryshme blockchain. Ndërkohë, analizat e kompanive të specializuara kanë zbuluar ngjashmëri me sulme të mëparshme kibernetike, të cilat u janë atribuar hakerëve koreano-veriorë.
Sulmi u realizua brenda 20 minutash
Sipas analizës së TRM Labs, sulmuesit arritën të komprometonin infrastrukturën e autorizimit të transaksioneve të Binance, duke u mundësuar transferimin e mjeteve financiare nga kuletat e platformës drejt adresave nën kontrollin e tyre.
Përgatitjet kishin nisur të paktën 36 orë para sulmit. Fillimisht, hakerët kryen disa transaksione të vogla provuese për të testuar sistemin, ndërsa më pas realizuan transferimet masive.
Binance fillimisht bëri të ditur se sulmi mund të kishte nisur përmes komprometimit të kompjuterit portativ të njërit prej inxhinierëve të kompanisë. Hetimet e mëvonshme, sipas vetë platformës, kanë zbuluar edhe pika të tjera të depërtimit në sistem.
“Ky ishte një sulm kompleks dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur, në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit, për ta zbardhur atë”, deklaruan nga Binance.
Kompania ka theksuar se deri më tani nuk ka prova për rrjedhjen e çelësave privatë të kuletave digjitale.
Dyshimet për grupin koreano-verior TraderTraitor
Ekspertët kanë identifikuar disa lidhje mes sulmit ndaj Binance dhe aktiviteteve të mëparshme të grupit TraderTraitor.
I njëjti grup është lidhur me sulmin ndaj platformës Bybit në shkurt të vitit 2025, gjatë të cilit u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë në kriptovaluta. Atëkohë, Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) zyrtarisht ia kishte atribuar sulmin Koresë së Veriut.
Edhe në rastin e Binance, TRM Labs dhe Chainalysis kanë identifikuar ngjashmëri në mënyrën e organizimit dhe realizimit të sulmit.
Një nga dëshmitë e rëndësishme të identifikuara nga Chainalysis është përzierja e mjeteve të vjedhura nga Binance me ato të një sulmi të mëparshëm ndaj platformës Bitget, i cili gjithashtu lidhet me aktorë kibernetikë koreano-veriorë.
Megjithatë, Binance nuk ka identifikuar zyrtarisht autorët e sulmit, ndërsa as autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar deri më tani përgjegjësinë e Koresë së Veriut për këtë rast.
Rreth 3 miliardë dollarë janë ngrirë
Pas sulmit, Binance dhe partnerët e saj kanë arritur të identifikojnë dhe ngrijnë rreth 3 miliardë dollarë nga asetet e vjedhura.
Sipas të dhënave të raportuara nga Reuters, kompania Tether ka ngrirë rreth 1.57 miliardë dollarë në asete të lidhura me incidentin, ndërsa Circle ka bllokuar më shumë se 800 milionë dollarë. Edhe kompani të tjera kanë ndërmarrë masa për të penguar lëvizjen e mjeteve të vjedhura.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e parave mbetet jashtë mundësisë së bllokimit të drejtpërdrejtë. Kjo vlen veçanërisht për Bitcoin, Ether dhe kriptovalutat e tjera, të cilat nuk mund të ngrijnë nga një emetues qendror.
Ekspertët paralajmërojnë se sulmuesit po përdorin mijëra transaksione të automatizuara për të fshehur gjurmët e lëvizjes së parave, duke e vështirësuar identifikimin dhe rikuperimin e tyre.
Koreja e Veriut dyshohet se financon regjimin përmes kriptovalutave
Grupet e hakerëve të lidhura me Korenë e Veriut prej vitesh dyshohet se kryejnë sulme ndaj platformave ndërkombëtare të kriptovalutave.
Sipas hetuesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, mjetet e siguruara përmes këtyre sulmeve përbëjnë një burim të rëndësishëm financimi për regjimin e Kim Jong-unit, përfshirë programet ushtarake dhe bërthamore.
Koreja e Veriut ndodhet nën sanksione të gjera ndërkombëtare, të cilat ia kufizojnë qasjen në sistemin financiar botëror. Kriptovalutat paraqesin një mundësi për sigurimin e mjeteve financiare jashtë kanaleve tradicionale bankare.
Tom Robinson, bashkëthemelues i kompanisë Elliptic, ka deklaruar për revistën Wired se, nëse konfirmohet përgjegjësia e Koresë së Veriut, kjo vjedhje pothuajse do ta dyfishonte vlerën e përgjithshme të kriptovalutave që regjimi ka vjedhur deri më tani.
Binance: Humbjet do të mbulohen nga fondet e kompanisë
Binance ka deklaruar se asetet e përdoruesve mbeten të sigurta dhe se humbjet e shkaktuara nga sulmi do të mbulohen nga fondet e kompanisë dhe fondi rezervë SAFU, i krijuar për mbrojtjen e përdoruesve në raste të tilla.
Ndërkohë, kompania po bashkëpunon me partnerët dhe organet përkatëse për gjurmimin e mjeteve të vjedhura dhe zbardhjen e plotë të sulmit.
Rasti konsiderohet si vjedhja më e madhe e njohur e kriptovalutave në histori, rreth katër herë më e madhe se sulmi ndaj platformës Bybit në vitin 2025.
Përmasat e sulmit dhe shpejtësia e realizimit të tij kanë ngritur shqetësime të reja për sigurinë e platformave ndërkombëtare të kriptovalutave, ndërsa mbetet e paqartë se sa nga 6.3 miliardë dollarët e vjedhur do të arrijnë hetuesit t’i rikuperojnë.
