Nënkryetari i Gjykatës në Gjilan takon zyrtarët e OSCE-së, diskutohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit
Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, priti të martën në takim përfaqësuesit e OSCE-së.
Në takim morën pjesë Menaxheri i Projektit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nga OSCE, Kahramon Sanginov, dhe Zyrtarja për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore, Etleva Kelmendi-Shabani.
Nënkryetari Sermaxhaj falënderoi OSCE-në për mbështetjen e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e llogaridhënies.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe mbështetjen që OSCE-ja ofron në ngritjen e kapaciteteve profesionale, monitorimin dhe avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
