U NDA NGA JETA NË MOSHËN 64-VJEÇARE PRONARI I NJËRIT NGA LOKALET MË TË DASHURA TË QYTETIT
Gjilani ka humbur sot një nga figurat më të dashura të mikpritjes.
Naser Ismaili – Naser Turki, në moshën 64-vjeçare, është ndarë nga jeta.
Për vite me radhë, restoranti i tij ishte më shumë se një vend ku hahej. Ishte shtëpi e dytë. Ishte vendi ku ushqimi tradicional shkonte bashkë me një fjalë të mirë, me një buzëqeshje dhe me respektin që e karakterizonte Naserin.

Ai nuk ishte thjesht pronar lokali. Ishte simbol i mikpritjes gjilanase.
Për shumë gjilanas, por edhe për mysafirë nga mbarë vendi, ndalesa te “Naser Turki” ishte bërë traditë.
Ndër qytetarë qarkullonte shpesh edhe kjo fjali:
“Nëse ke ardhur në Gjilan dhe nuk e ke frekuentuar restorantin e Naserit, ke gabuar rëndë!”
Por ai do të mbahet mend më shumë për zemrën e tij. Për sinqeritetin, për afërsinë me njerëzit dhe për mënyrën se si dinte ta bënte secilin të ndihej i veçantë.
Lajmin e ka bërë të ditur familja Ismail, e cila do të njoftojë më vonë për datën dhe orën e varrimit.
Naser Turki u largua fizikisht, por emri dhe ngrohtësia e tij do të mbeten gjallë në bisedat e gjilanasve dhe në kujtimet e mijëra mysafirëve.
Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
U prehtë në paqe!
