Sot dy superndeshje në Superligë, gjithë vëmendja te derbi Gjilani – Drita
Gjilani dhe Drita përballen në derbin e Anamoravës, në një duel që pritet të sjellë emocione, rivalitet dhe atmosferë të zjarrtë në tribuna.
Futbolli kosovar rikthehet sot me dy përballje interesante në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës, por sytë e futbolldashësve në Anamoravë dhe më gjerë do të jenë te derbi mes Gjilanit dhe Dritës.
Ndeshja e parë e ditës zhvillohet nga ora 13:00, ku Feronikeli 74 pret Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në një duel të rëndësishëm për të dy skuadrat në garën për pikë.
Tri orë më vonë, nga ora 16:00, në stadiumin me bari artificial në Gjilan, do të zbresin në fushë Gjilani dhe Drita, për një tjetër kapitull të rivalitetit që e karakterizon futbollin e Anamoravës.
Derbi mes dy skuadrave gjilanase është më shumë se një ndeshje për tri pikë, pasi përballjet mes tyre përcillen gjithmonë me emocione të veçanta, interesim të madh dhe atmosferë që nis shumë përpara fishkëllimës së parë të gjyqtarit.
Dy ndeshjet janë pjesë e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës.

