Nga Ismajl Veliu, sociolog: Gjilani i dikurshëm – qyteti para ndërtimit të soliterit
Një fotografi e rrallë historike e Gjilanit, nga fillimet e viteve 1970, na sjell pamjen e qytetit në një periudhë kur Soliteri ende nuk ekzistonte në horizontin urban të tij.
Në këtë fotografi pasqyrohet një Gjilan tjetër, me fizionominë e tij të dikurshme arkitektonike, me ndërtesat e kohës dhe hapësirat urbane që karakterizonin zhvillimin e qytetit në atë periudhë.

Soliteri, i cili më vonë do të bëhej njëra ndër ndërtesat më karakteristike dhe më të dallueshme të Gjilanit, sipas kronologjisë së përmendur, filloi të ndërtohej gjatë viteve 1973/1974, ndërsa përfundoi në vitet 1977/1978. Me ndërtimin e tij, qyteti mori një dimension të ri urbanistik dhe një pikë të re orientuese në peizazhin e vet arkitektonik.

Në pamje vërehet edhe Konvikti i Nxënësve, një objekt me rëndësi për jetën arsimore të qytetit, si dhe Shtatorja e Ushtarit të Panjohur, e vendosur në vitin 1963, e cila përbënte një element të veçantë të hapësirës publike dhe kujtesës historike të Gjilanit.
Fotografitë e tilla kanë vlerë të veçantë dokumentare, sepse na mundësojnë të kuptojmë ndryshimet që ka pësuar qyteti ndër dekada. Ato nuk paraqesin vetëm ndërtesa e rrugë, por edhe një periudhë të caktuar të zhvillimit urban, ekonomik, shoqëror dhe kulturor.
Gjilani para Soliterit – një pamje që sot jeton në kujtesën historike të qytetit.
Një dëshmi fotografike për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, për të mos harruar se si dukej qyteti ynë dikur.
Ismajl R.Veliu
Sociolog
