Ballkani kërkon rikthimin te fitorja, Drita synon revanshin ndaj Feronikelit 74
Sot zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 14-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku vëmendja do të jetë te përballjet Ballkani – Gjilani dhe Drita – Feronikeli 74.
Në Suharekë, Ballkani e pret Gjilanin në një duel mes dy skuadrave që synojnë t’i afrohen kreut të tabelës. Skuadra vendase, e cila ende nuk ka emëruar trajnerin e ri pas largimit të Sami Sermaxhajt, renditet në pozitën e pestë me 19 pikë dhe kërkon fitoren për të përmirësuar pozicionin e saj.

Gjilani, ndërkohë, po kalon një periudhë pozitive nën drejtimin e Zekirja Ramadanit. Kuqebardhët janë të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit dhe zënë vendin e katërt me 22 pikë. Në takimin e parë mes tyre, të zhvilluar në shtator, Gjilani kishte fituar 1:0. Ndeshja e sotme nis në orën 13:00.


Në duelin tjetër, Drita do të përballet në shtëpi me Feronikelin 74. Gjilanasit synojnë t’u kthehen fitoreve dhe njëkohësisht të marrin revanshin për humbjen 1:0 në përballjen e parë ndaj skuadrës nga Drenasi.
Drita aktualisht renditet e treta me 24 pikë, ndërsa Feronikeli 74 është në pozitën e shtatë me 15 pikë. Kjo përballje fillon në orën 15:00.
