Stuhia e erës shkakton dëme në Gjilan, ekipet emergjente intervenojnë në disa lokacione
Dëmtimi i kulmit të një shtëpie në Livoç të Epërm, rrëzimi i drunjve në Lagjen e Dëshmorëve dhe shkëputja e pjesëve të fasadave nga ndërtesat kolektive janë disa nga pasojat e motit të ligë.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, ka zhvilluar disa intervenime pas dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme që përfshinë qytetin dhe rrethinën gjatë natës së 19 dhe 20 nëntorit.

Në terren kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, të koordinuara nga drejtori i kësaj drejtorie, Enver Shabani, me qëllim të largimit të rreziqeve dhe parandalimit të pasojave të mëtejshme për qytetarët.

Sipas njoftimit të Komunës, në Livoç të Epërm era ka dëmtuar kulmin e një shtëpie, ndërsa në Lagjen e Dëshmorëve ka rrëzuar disa drunj, të cilët janë larguar nga ekipet intervenuese. Ndërhyrje është bërë edhe për largimin e pjesëve të rrezikshme të fasadave që ishin shkëputur nga ndërtesat e banimit kolektiv.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kishte ndërmarrë masa paraprake pas paralajmërimeve të Agjencisë Meteorologjike të Kosovës dhe ka bërë të ditur se mbetet në gatishmëri për të reaguar ndaj situatave të mundshme emergjente.

Ndërkohë, Komuna e Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike, të shmangin zonat ku mund të ketë rrezik nga rrëzimi i drunjve apo shkëputja e elementeve të ndërtesave dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë e tyre.

