Kamenica siguron furnizim me 35 lloje barnash dhe vitaminash për pensionistët
Komuna e Kamenicës ka përmbyllur procedurën e prokurimit për furnizimin me barna dhe vitamina, të dedikuara për pensionistët, përmes një kontrate në vlerë prej 33 mijë e 316 euro e 30 centë.
Kontrata është nënshkruar më 18 nëntor 2026, me grupin e operatorëve ekonomikë “BRT Pharm” SH.P.K. dhe N.SH.T. “Neramed”, të cilët janë përzgjedhur për realizimin e këtij furnizimi.
Në bazë të dokumentacionit të publikuar në platformën elektronike të prokurimit publik, përmes kësaj kontrate parashihet blerja e gjithsej 35 llojeve të barnave dhe vitaminave, të cilat do të shërbejnë për nevojat e pensionistëve të komunës.

Furnizimi do të realizohet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kamenicë, ndërsa kontrata parasheh mbulimin e nevojave për këtë kategori gjatë një periudhe 12-mujore.
Procedura e prokurimit është zhvilluar përmes tenderimit të hapur, me çmimin më të ulët si kriter për dhënien e kontratës.
Vlera e kontratës është 33,316.30 euro.
