Drita mban konferencë për media në prag të ndeshjes me Feronikelin 74
FC Drita do të mbajë të shtunën konferencë për media, në prag të përballjes me FC Feronikeli 74, në kuadër të xhiros së 14-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Në konferencë do të paraqiten trajneri i skuadrës, Ardian Nuhiu, dhe futbollisti Arb Manaj, të cilët pritet të flasin për përgatitjet dhe pritshmëritë para ndeshjes së radhës.
Sipas njoftimit të klubit gjilanas, konferenca do të mbahet më 21 nëntor 2026, duke filluar nga ora 14:00, në zyrat e klubit, pranë stadiumit me bari sintetik (te rrethi).

Ndërkohë, këtë fundjavë rikthehen garat e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, pas pauzës së shkaktuar nga angazhimet e përfaqësueseve kombëtare në ndeshjet ndërkombëtare.
Drita i rikthehet kampionatit pas humbjes nga rivali i saj, Prishtina, para dy javësh. Skuadra gjilanase do të kërkojë të rikthehet te rezultatet pozitive në përballjen e radhës me Feronikelin 74.
Pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, Drita ka grumbulluar 24 pikë dhe renditet në pozitën e tretë në tabelë. Prishtina kryeson kampionatin me 32 pikë, ndërsa Malisheva zë vendin e dytë me 27 pikë.
Deri në përfundim të stinorit vjeshtor kanë mbetur edhe pesë xhiro, apo 15 pikë në dispozicion, çka e bën çdo ndeshje të rëndësishme për skuadrat që synojnë të përmirësojnë pozitat e tyre në tabelë.
