Diplomojnë studentët e parë të programit Master “Mësimdhënie e Gjuhës Angleze” në UKZ
Në Programin Master “Mësimdhënie e Gjuhës Angleze” të Fakultetit të Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, diplomuan studentët e parë, të cilët kanë përfunduar me sukses studimet në këtë program.
Gjatë rrugëtimit të tyre, studentët kanë zhvilluar njohuritë dhe kompetencat e tyre profesionale dhe hulumtuese, duke i konkretizuar ato përmes punimeve të diplomës Master. Hulumtimet e tyre janë përqendruar në çështje aktuale të mësimdhënies dhe nxënies së gjuhës angleze, duke trajtuar tema si:
Vlerësimi formativ në mësimin e gjuhës angleze, nga këndvështrimi i nxënësve dhe mësimdhënësve, me fokus në ndikimin e tij në motivimin, angazhimin dhe përparimin e nxënësve, si dhe sfidat e zbatimit në praktikën shkollore.

Pedagogjia e bazuar në lojë në arsimin fillor, duke shqyrtuar ndikimin e aktiviteteve të lojës në përvetësimin e gjuhës angleze dhe perceptimet e mësimdhënësve për përdorimin e kësaj qasje.
Përdorimi i multimedias në zhvillimin e shkathtësisë së të shkruarit në gjuhën angleze, duke analizuar mundësitë dhe sfidat që sjellin burimet dhe mjetet digjitale në procesin mësimor.
Përmes këtyre punimeve, studentët kanë trajtuar çështje me rëndësi për arsimin bashkëkohor, duke sjellë perspektiva dhe rezultate hulumtuese që mund të kontribuojnë në reflektimin dhe avancimin e praktikave të mësimdhënies së gjuhës angleze në shkollat e Kosovës.


Diplomimi i studentëve të parë shënon një arritje të rëndësishme për programin Master “Mësimdhënie e Gjuhës Angleze” dhe përfaqëson një moment krenarie për stafin akademik dhe institucionin.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” shpreh urimet më të përzemërta për studentët e diplomuar, duke u dëshiruar suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm profesional dhe akademik, si dhe kontribut të vazhdueshëm në avancimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

