Gjilan: Themelohet Këshilli i Pacientëve, i para i këtij lloji në qytet e gjetiu!
Nisma për themelimin e Këshillit të Pacientëve në Gjilan, e para e këtij lloji në qytet, është bërë publike nga drejtoresha e Shëndetësisë, Mimoza Kadriu, e cila ka shprehur mbështetjen e saj për këtë proces.
Një nismë e re në fushën e shëndetësisë ka nisur të marrë formë në Gjilan, me synimin për themelimin e Këshillit të Pacientëve, një mekanizëm që synon të përfaqësojë zërin e pacientëve, të mbrojë të drejtat dhe interesat e tyre dhe të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu, ka bërë të ditur mbështetjen për këtë nismë, duke shprehur dëshirën që Këshilli i Pacientëve të jetë gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe të luajë rol në përfaqësimin e kërkesave dhe interesave të tyre.

“Uroj që Këshilli i Pacientëve të jetë gjithmonë në shërbim të pacientëve, të përfaqësojë zërin e tyre, të mbrojë të drejtat dhe interesat e tyre dhe të kontribuojë në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore”, ka shkruar Kadriu.
Sipas konceptit të prezantuar në faqen e dedikuar kësaj nisme, angazhimi i Këshillit mbështetet në tri shtylla kryesore: mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, promovimin e shërbimeve cilësore dhe bashkëpunimin për një shëndetësi më të mirë.
“Shëndeti është e drejtë, jo privilegj!” është motoja me të cilën është prezantuar kjo nismë.
Themelimi i Këshillit të Pacientëve do të shënonte një përpjekje të re për përfaqësimin e pacientëve në Gjilan, duke synuar që zëri dhe përvojat e tyre të marrin vëmendjen e duhur në çështjet që lidhen me shërbimet shëndetësore.
