Përcaktohen çiftet çerekfinaliste të Ligës së Kombeve, sfida të mëdha në mars
Shorti i tërhequr të premten ka përcaktuar përballjet çerekfinale të Ligës së Kombeve, ku në mars të vitit 2027 priten disa duele mjaft interesante mes përfaqësueseve të njohura evropiane.
Fillimisht, shorti vuri përballë Anglinë dhe Spanjën, por meqë të dyja përfaqësueset ishin pjesë e të njëjtit grup në Ligën A, ato nuk mund të përballen në këtë fazë të garës.

Pas përcaktimit të çifteve, Norvegjia do të përballet me Anglinë, ndërsa Spanja do të ketë përballë Francën. Kjo e fundit dhe Spanja u takuan edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, ku triumfuan spanjollët.

Në dy përballjet e tjera, Holanda do të luajë kundër Portugalisë, ndërsa Belgjika do të kërkojë kualifikimin përballë Gjermanisë.
Edhe rruga drejt gjysmëfinales premton përballje të forta. Fituesi i çiftit Holandë – Portugali do të ndeshet me fituesin e duelit Spanjë – Francë, kurse fituesi i përballjes Norvegji – Angli do të luajë kundër fituesit të çiftit Belgjikë – Gjermani.

Një përparësi për katër përfaqësueset që fituan grupet e Ligës A është se ndeshjet e kthimit në çerekfinale do t’i zhvillojnë në stadiumet e tyre, para tifozëve vendas.
Ndeshjet çerekfinale janë në program nga 25 deri më 30 mars 2027, ndërsa turneu final, me gjysmëfinalet dhe finalen, do të zhvillohet nga 9 deri më 13 qershor.
Kujtojmë se Portugalia është kampione në fuqi e Ligës së Kombeve.
