Haxhiu nis 28 Nëntorin me homazhe në Prekaz: Jasharajt janë lavdia e kombit tonë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka nisur 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, me homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, në nderim të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.
Haxhiu ka kujtuar rëndësinë historike të 28 Nëntorit, duke përmendur ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë më 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997.
Ajo ka thënë se Prekazi dhe familja Jashari kanë një vend të veçantë në këtë rrugëtim historik. Së bashku me të ishin edhe ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla dhe deputetë të Vetëvendosjes.
“Komandanti Adem Jashari, i lindur pikërisht më 28 Nëntor, bashkë me familjen e tij zgjodhi të mos dorëzohej asnjëherë. Rezistenca e tyre e armatosur deri në frymën e fundit u bë kushtrim për një popull të tërë dhe pikë kthese në luftën tonë për liri”- ka shkruar Haxhiu.
Ajo i ka cilësuar Jasharajt si “lavdia e kombit tonë dhe përjetësisht familja e secilit shqiptar”, duke u përulur para sakrificës së tyre dhe të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Flamurin që ata e mbajtën lart, do ta mbajmë lart edhe ne, brez pas brezi, besnikë ndaj vlerave për të cilat luftuan”- ka shkruar Haxhiu.
Shqiptarët sot, më 28 Nëntor, shënojnë 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga datat më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, e njohur gjithashtu si Dita e Flamurit.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga trevat shqiptare, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin kuq e zi, duke i dhënë fund sundimit osman dhe duke shënuar themelimin e shtetit modern shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i përpjekjeve të gjata politike, kombëtare dhe ushtarake të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe vetëvendosje.
Ajo erdhi në një periudhë të trazuar për Ballkanin, kur Luftërat Ballkanike dhe synimet territoriale të shteteve fqinje rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Shpallja e Pavarësisë ishte kulmi i një procesi të gjatë të Rilindjes Kombëtare, që përfshinte përpjekjet politike, kulturore dhe kryengritjet për çlirim nga sundimi osman. Ajo shënoi një pikë kthese në historinë e shqiptarëve, duke afirmuar të drejtën e tyre për të pasur shtet dhe për të vendosur për të ardhmen e tyre.
Përveç Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori ka edhe domethënie të tjera në historinë shqiptare. Në këtë datë, më 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti flamurin shqiptar në Krujë, ndërsa më 1955 lindi komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Në Kosovë, kjo ditë tradicionalisht shënohet me aktivitete përkujtimore, homazhe në varrezat e dëshmorëve, ngritje të flamurit kombëtar, akademi solemne dhe aktivitete kulturore në komuna të ndryshme.
