Klubi letrar “Nositi” në Dardanë shënon 28 Nëntorin me orë letrare dhe konkurs poetik
48 poetë nga trevat shqiptare konkurruan me krijimet e tyre në orën letrare kushtuar Festës së Flamurit, ndërsa juria përzgjodhi tri poezitë më të mira.
Në organizim të Klubit Letrar “Nositi” dhe në koordinim me Drejtorinë e Kulturës, më 27 nëntor, në ambientet e Bibliotekës së qytetit në Dardanë, u mbajt ora letrare kushtuar 28 Nëntorit, Festës së Flamurit.

Aktiviteti kishte edhe karakter garues, ku në konkursin letrar konkurruan 48 poetë nga të gjitha trevat shqiptare. Konkursi u zhvillua në mënyrë anonime, ndërsa juria shqyrtoi krijimet e paraqitura, përfshirë edhe ato të poetëve që nuk ishin të pranishëm në aktivitet. Pjesëmarrja e poetëve dhe interpretimi i krijimeve i dhanë kësaj ore letrare një përmbajtje artistike dhe festive.
Orën letrare e moderoi profesoresha Donjeta Kryeziu, e cila me moderimin e saj i dha rrjedhë dhe përmbajtje programit artistik të organizuar për këtë ditë të shënuar.

Në emër të organizatorit, të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesja e Klubit Letrar “Nositi”, e cila theksoi se klubi tashmë prej disa vitesh e shënon 28 Nëntorin përmes aktiviteteve letrare, duke veçuar orën letrare si një aktivitet që ndërthur festën e Flamurit, atë të alfabetit dhe nëntorët e lirisë.
Ajo vlerësoi rëndësinë e fjalës artistike në ruajtjen e identitetit, kujtesës dhe idealit të lirisë, duke theksuar se poezia dhe vargjet e poetëve të Rilindjes kanë luajtur rol të rëndësishëm në kultivimin e dashurisë për atdheun dhe në mbajtjen gjallë të shpresës.

Sipas saj, festat e nëntorit vazhdojnë të bashkojnë shqiptarët kudo që ndodhen, ndërsa fjala poetike mbetet një nga mënyrat për të përcjellë vlerat kombëtare dhe për t’i dhënë kuptim të përhershëm lirisë.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Afrim Dervishi, i cili në fjalën e tij theksoi rolin e artit dhe të fjalës poetike në bashkimin e njerëzve në të gjitha kohët. Ai e cilësoi 28 Nëntorin si një nga festat më të dashura për shqiptarët, që ruan dhe afirmon themelet e kulturës shqiptare.
Dervishi, ndër të tjera, vlerësoi jehonën e fjalës poetike në qytetin e Dardanës, duke e lidhur atë me kujtesën, lirinë dhe sakrificën për atdheun.

Në këtë orë letrare, poezitë e tyre i lexuan Izet Kallaba, Farida Ramadani, Sadik Kovani, Bekim Beka, Selvete Abdullahu, Nazmie Hasani, Fatmushe Gërguri, Diona Bajraktari, Bujar Salihu, Xhemkadri Kastrati, Safete Graiçevci Jakupi, Hysen Këqiku, Sulejman Dërmaku, Rrushe Hasimja, Sadete Tërnava dhe Nazim Bislimi.
Jashtë konkurrencës, krijimet e tyre i prezantuan edhe Xhevdet Kallaba, Raif Gashi, Alma Ferunaj dhe Minuvere Muja Maka.
Juria profesionale, në përbërje të Baki Krasniqit, Arsim Halilit dhe Musa Ahmetajt, pasi kishte shqyrtuar paraprakisht poezitë e konkursit dhe dëgjoi interpretimet e poetëve të pranishëm, përzgjodhi tri krijimet më të mira, duke u bazuar në kriteret e konkursit dhe vlerat artistike të poezive.
Çmimet u ndanë si vijon:
- Vendi i parë: “Drojë andrrash”, me shifrën “Rrëfenjza”, autore Sadete Tërnava.
- Vendi i dytë: “Himerë”, me shifrën “Nata e fundit e vjetit 1900”, autor Bujar Salihu.
- Vendi i tretë: “Cila stinë më dogji mallin”, me shifrën “Stina ma dogji mallin”, autor Izet Kallaba.
Juria profesionale përzgjodhi edhe disa poezi të tjera për botim në numrin e ardhshëm të revistës “Nositi”.
Aktivitetet e Klubit Letrar “Nositi” mbështeten vazhdimisht nga ndërmarrja “Vëllezërit Borovci” SHPK, me përkrahjen e ndërmarrësve Kamer dhe Mustafë Borovci, të cilët, sipas organizatorëve, kanë kontribuar në mbështetjen e fjalës së shkruar artistike në Dardanë dhe më gjerë.
Klubi Letrar “Nositi” ka gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, dhe Drejtorisë së Kulturës.
Aktiviteti u dokumentua nga Gani Kryeziu, i cili po krijon një arkiv të aktiviteteve të klubit dhe po i përcjell ato për publikun e gjerë.
Organizatorët vlerësuan se mbështetja institucionale dhe ajo e komunitetit kontribuojnë në gjallërimin e jetës kulturore në qytet, duke theksuar rëndësinë e fjalës së shkruar dhe komunikimit artistik me qytetarët e gjeneratat e reja.
Dardanë, 27 nëntor 2026
Klubi Letrar “Nositi”
