Anila Aliu, krenaria e Gjilanit, nis një kapitull të ri në universitetin amerikan
Pianistja gjilanase njofton angazhimin e saj zyrtar në Concordia University Chicago, një tjetër arritje në rrugëtimin e saj artistik dhe akademik në SHBA.
Pianistja shqiptare nga Gjilani, Anila Aliu, ka bërë të ditur se është punësuar zyrtarisht në Universitetin Concordia University Chicago, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë angazhim si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional.

Në një postim të publikuar, Aliu ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen për këtë mundësi, duke theksuar se përgjegjësia e re profesionale, në moshën e saj të re, përfaqëson një privilegj dhe një besim të cilin do ta vlerësojë gjithmonë.
Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas saj, i kanë hapur dyert për të ndërtuar ëndrrat dhe për të marrë tashmë një rol të ri profesional.
Postimi nga Anila Aliu:
Të dashur miq dhe familjarë,
Me shumë gëzim dhe emocion dua të ndaj me ju lajmin se tashmë jam zyrtarisht e punësuar në Universitetin Concordia University Chicago.
Të mbaj një përgjegjësi të tillë profesionale në këtë moshë të re ka një domethënie të veçantë për mua. Është një privilegj, por mbi të gjitha një besim që do ta vlerësoj gjithmonë.
Mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më hapi dyert, më dha mundësinë të ndërtoj ëndrrat e mia dhe sot më besoi një rol të tillë.


Karriera artistike dhe akademike
Anila Aliu është pianiste shqiptare nga Gjilani, e lindur më 25 gusht 2000, e cila që në moshë të hershme është orientuar drejt muzikës klasike, duke ndërtuar një rrugëtim të dalluar përmes studimeve, koncerteve, masterklasave dhe pjesëmarrjes në konkurse ndërkombëtare.
Ajo nisi të luajë piano në moshën shtatëvjeçare, ndërsa gjatë karrierës së saj ka marrë pjesë në aktivitete të shumta muzikore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Serbi, Itali, Lituani, Luksemburg, Gjermani, Belgjikë, Francë, Zvicër, Austri, Tajlandë, Malajzi, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aliu ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Performancë Pianoje në Kosovë, ndërsa më pas ka vazhduar studimet në SHBA, në Roosevelt University – Chicago College of Performing Arts, ku është përfituese e një burse të plotë dhe është duke ndjekur studimet e avancuara në performancë, në klasën e profesorit Adam Neiman, i nominuar për Grammy.
Gjatë rrugëtimit të saj, ajo ka performuar si soliste me Orkestrën Filarmonike të Kosovës, Orkestrën e Mesdheut Balkanik dhe Orkestrën Filarmonike të Meksikës, si dhe ka realizuar recitale në qytete të ndryshme të Evropës, Amerikës dhe Azisë.
Pjesëmarrja e saj në konkurse dhe festivale ndërkombëtare është shoqëruar me çmime dhe vlerësime, përfshirë çmime të para në konkurse të ndryshme, çmime absolute dhe njohje të veçanta në aktivitete muzikore në Kosovë dhe jashtë saj.
Ndër momentet e rëndësishme të karrierës së saj përfshihen edhe ftesa për të performuar në Carnegie Hall në New York, pjesëmarrja në konkurse ndërkombëtare në Lugano, si dhe paraqitjet në festivale dhe aktivitete muzikore në Bangkok, Kuala Lumpur, Vjenë, Bonn, Zagreb, Kaunas dhe qytete të tjera.
Në vitin 2024, Aliu u nderua me çmimin “Distinguished Artist Prize” në Kuala Lumpur të Malajzisë, ndërsa ka vazhduar të jetë pjesë e festivaleve dhe koncerteve në SHBA dhe vende të tjera.
Angazhimi i saj i ri në Concordia University Chicago shënon një tjetër zhvillim në karrierën e pianistes nga Gjilani, e cila po vazhdon të ndërtojë rrugëtimin e saj në muzikën klasike dhe në fushën akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
