Kuvendi Komunal i Vitisë shqyrton disa çështje me rëndësi në mbledhjen e XI të rregullt
Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e njëmbëdhjetë të rregullt, ku janë diskutuar dhe shqyrtuar një sërë çështjesh, propozim-vendimesh dhe temash që ndërlidhen me zhvillimet komunale dhe interesin e qytetarëve.
Në mesin e pikave të shqyrtuara ishte propozimi për emërtimin e sallës së teatrit në Viti me emrin “Jakup Jahiri”, caktimi i lokacionit për varrezat në zonën kadastrale të Kabashit, si dhe aprovimi i Planit të Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2027.
Anëtarët e Kuvendit diskutuan edhe për çështje të sigurisë në bashkësi, shfuqizimin e një vendimi të mëhershëm për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të pronës, si dhe propozimin për largimin e kalldrëmit ekzistues dhe asfaltimin e rrugës së UÇK-së në Viti.
Në rend dite ishte edhe shqyrtimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet komunave të Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan.
Po ashtu, është trajtuar rishqyrtimi i ligjshmërisë së vendimit për vënien në shqyrtim publik të Projekt-Hartës Zonale Komunale të Vitisë 2026–2034.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte informata lidhur me obligimet e mbetura financiare për kontratat komunale të lidhura me kompanitë Kosovamed, Caritas dhe Topalli. Në këtë pikë janë ngritur shqetësime lidhur me vonesat disa mujore në pagesat e punëtorëve të angazhuar përmes këtyre kontratave, si dhe obligimet financiare që duhet të përmbushen nga palët përkatëse.
Mbledhja përfundoi me pikën e pyetjeve dhe përgjigjeve, ku anëtarët e Kuvendit Komunal ngritën çështje të ndryshme me interes për qytetarët dhe institucionet komunale.
