Thursday 26 November 2026
Advertisement
Advertisement
TV Gjilani TV Gjilani
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
    • Basketboll
      • NBA
      • Superliga e Kosovës
    • Futboll
      • Superliga e Kosovës
      • Champions League
      • Europa League
      • Konferencë League
  • Kulturë
    • Teatër
    • Film
    • Letërsi
    • Arte Pamore
  • Shëndeti
  • Marketing
    • Automjete
    • Banesa
    • Konkurse
    • Lajmërime
    • Lokale
    • Njoftime
    • Pajisje teknologjike
    • Shitëblerje
    • Shpallje
    • Shtëpi
    • Telefona
    • Troje
logo
Edit Content
TV Gjilani TV Gjilani
  • most recent news
  • trending news
  • most read
  • All Video
  • Image gallery
  • more
Teknologji

Amazing Model On Site

15 June 2021
Teknologji

Beauty Model Working on

15 June 2021
Teknologji

Victoria’s Secret Afterparty Goes

15 June 2021
Teknologji

Sisters Land Fashion Role

15 June 2021
Teknologji

Best Dressed Men in

15 June 2021
Sport

Të dielën do të

8 July 2021
  • Accessibility
  • Help
  • Contact
  • About qoxag

Lajmi i Fundit

UKZ nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Esenyurt University në Turqi

Shefqet Dibrani (Opinion) – Afiniteti krijues që i jep kuptim jetës, – Kaltrina Berisha, “UNI

Takim pune i Drejtorit Rajonal të Policisë në Gjilan me Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm

Gjilan: Adnan Syla merr ulësen në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga Lista “Guxo”

Kuvendi sot mban dy seanca, në rend dite edhe Bordi i RTK-së

KOK-u ftohet në takim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare

“Kur flet arti, nderohet kombi dhe atdheu” – 34 artistë bëhen bashkë në Kamenicë

Ismet Munishi kujton Maradonën: Gjashtë vite pa legjendën që e ktheu futbollin në magji

Kalaja e Përlepnicës, një gjurmë e antikitetit të vonë dhe një propozim nga Nexhmedin Shaqiri

NPL “TREGU” në Gjilan vendos flamujt kombëtarë dhe të UÇK-së në prag të festave të

 Shefqet Dibrani (Opinion) – Afiniteti krijues që i jep kuptim jetës, – Kaltrina Berisha, “UNI I NDARË”, poezi, Gjilan, 2024
Lajme

Shefqet Dibrani (Opinion) – Afiniteti krijues që i jep kuptim jetës, – Kaltrina Berisha, “UNI I NDARË”, poezi, Gjilan, 2024

26 November 2026 0 Comment 18 min read

AA

(Kaltrina Berisha, “UNI I NDARË”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan, 2024, 80 faqe. ISBN 978-9951-980-03-6)

Vëllimi poetik “UNI I NDARË”, nga Kaltrina Berisha është një përpjekje e sinqertë dhe si tërësi mjaftë i kompletuar. Vetë titulli i librit, paraqet njeriun e ndarë mëdysh edhe brenda vetvetës.

Shefqet Dibrani (Opinion)

Ky “un i ndarë” është një përplasje e vazhdueshme mes përvojës letrare, si studiuese, dhe muzës krijuese si realitet poetik që i shfqet letërsisë sonë. Kështu vëllimi i saj me poezi është një udhëtim poetik që nis me “Një nga poezitë e librit të kaltër” dhe mbyllet me poezinë “Fundi”, me një zhvillim të qartë emocional. Përmes vargjeve të pasura me figura letrare, poetesha Kaltrina Berisha ka krijuar botën e saj poetike ndërsa motivet e ndryshme, sigurisht prekin shpirtin e çdo lexuesi.

Motivet e poezive të këtij vëllimi, na shfaqen herë si një përballje e dyfishtë me vetveten e herë tjetër përballje me realitetin ekzistues. Në poezinë, “Një nga poezitë e librit të kaltër”, zëri poetik i Kaltrinë Berishës, shfaqet si një marinare që lundron nëpër det e vetmuar:

“Jam asgjë më shumë
e as më pak se një marinare
e përplasur me dallgë të forta
në një ishull të braktisur”

Faqe 7.

Ky shqetësim është vetë bota e brendshme e poeteshës, ku mendimet i mbeten si “shall i vjetër/ diku gjetkë” dhe ku “Jeta zgjerohet në tymin e pambarim/ mendja pluskon në ëndrrat heroike/ errësirë/ shumë larg çdo strehe tempulli”, (po aty, f.7). Mungesa e një “tempulli në ishullin e saj” që do të bëhej një strehe e sigurt shpirtërore, e bënë “marinaren” të pambrojtur përballë stuhive të detit. Kjo ndarje, qartësohet edhe më mirë te poezia “Paralele”, ku dy gjysmat e një njeriu ecin në të njëjtin drejtim, ndonëse janë të dënuar të mos takohen kurrë:

“Dy të kundërta
takohen
në kaltërsi të thellë…
Pa pika të prekjes
prerjes
veç prehjes
Dy të kundërta
në një kah
rrinë përkrah…”

Faqe 27.

Edhe kur takimi mund të ndodh në imagjinatën e poeteshës, diku “në ballo/ të zhveshur dhe me maska”, ajo që mund t’i bashkojë është vetëm “iluzioni i një prekjeje të lehtë”, (po aty, f.28). E njëjta ndjesi e ndarjes shfaqet edhe te poezia “Bohemia”, (f.12), përmes dy tabllove të ndara të Mona Lizës. Kalimi nga tabloja e parë (buzët) te tabloja e dytë (sytë) manifestohet si “kalimi prej parajsës te ferri”, (po aty, f.13), duke dëftuar se edhe bukuria më e madhe çenka e ndarë në dy skaje të kundërta. Në këtë gjendje të amullt, poetja kupton se “Qenia banon në gjuhë”, (po aty, f.15), pra na bëhet me kuptuar se fjala poetike mbetet e vetmja shtëpi e vërtetë e shpirtit të trazuar.

Ky “un i ndar” arrin abstraksionin më të lartë te poezia që mban titullin e librit, “Uni i ndarë” (f.63). Këtu, rreshtat me pika që zgjerohen pak a pak nëpër dy faqe tregojnë atë që ne nuk mund ta zbërthejm. Kjo zbrazëti, mund të jetë heshtja poetike para ndonjë humnere a ndonjë përjetimi brenda vetvetës, për t’u përmbyllur poezia me një varg të vetëm, i cili shpreh ndjenjën e të qenit i huaj mes njerëzve: “Unë që jetoj në mesin tuaj, por e huaj jam”, (po aty, f.64).

Ky përjetim i mbylljes brenda vetes, mjaftë qartë duket edhe te poezia “Shtëpia prej letre”, (f.48), ku muret e betonit, dyert e blinduara dhe dritaret e mbyllura hermetikisht nuk mund ta burgosin dot shpirtin, sepse “Tek e fundit/ nuk ka vend prej të cilit s’arratisesh” edhe atëherë kur “…qielli, deti e toka janë të vegjël/ karshi botës në brendinë tonë”, (po aty, f.48).

Një bukuri lirike, te poezia e Kaltrinë Berishës, është afiniteti i kujtimeve që lidhen me mitologjinë ose letërsinë botërore. Poetja saktëson se në fatin e këtyre emrave të njohur, gjen dhimbjen e njeriut të sotëm. Tek poezia “Rrugëtimi i një sizifi modern”, (f.22), mundi i pafundmë i Sizifit bashkohet me fatet e figurave të njohura të letërsisë botërore. Zëri poetik kërkon të niset në një “rrugë qarkore” për të gëlltitur “dhimbjen/ e mbetur nyje”, duke i marrë mbi supet e veta fatet e rënda të heroinave dhe heronjve klasikë:

“…më lini përherë të njejtën rrugë
të nis thurjen si Penelopa,
të endem rrotull si një Odise pa Itakë,
me plagën e Andromakës,
të ngazëllehem me dashurinë e Anës…”

Faqe 23.

Ky varg përmbledh gjithë dramën e gruas dhe të njeriut të sotëm: pritjen e gjatë (Penelopa), kërkimin e pafundmë pa shtëpi e pa strehë (Odiseu pa Itakë), dhimbjen e humbjes (Andromaka) dhe dashurinë që të djeg (Ana Karenina). Më tej, ky udhëtim zbret në “Siberinë e Raskolnikovit”, preket nga gabimi i “Zonjës Bovari” dhe ndahet në dysh mes “Zorbës” dhe “Ujkut të stepës”, duke përplasur lexuesin nëpër ngjarjet dhe tragjeditë e mëdha botërore dhe ato mitologjike.

Kjo lidhje me librat e autorëve të mëdhenj sforcohet, sidomos te poezia “Të gjitha rrugët të dërgojnë në qendrën korrektuese”, (f.71). Këtu, poetesha e sheh veten si “Një Kuazimodo që bredhet si Uliks/ në kërkim të tokës së papremtuar,/ pelegrin pa kohë”, (po aty, f.71). Duke bashkuar shpirtin e pastër pas pamjes së vrazhdët (Kuazimodo) me udhëtimin e pafundmë (Uliksi), Kaltrina Berisha, shumë interesant e ka përshkruar atë rrugëtim nëpër vuajtjet e njerëzimit me këto vargje:

“E nisa me Danten dhe pyllin e errët,
me braktisjen e Xha Gorios,
dënimin e Raskolnikovit,
murimin në kalanë e Rozafatit
mbarova me fatin e gurtë të Niobës.”

Faqe 72.

Në këtë poezi, ku kujtohet thënia e Niçes “Mos u orvat të shërosh të pashërueshmen”, (po aty, f.72), dhe ku pendimi i Borgesit se ai nuk qe i lumtur, do të kthehet në fatin e saj si “pelegrine e përhershme purgatori”, (po aty, f.73), Kaltrinë Berisha ka arritur t’i lidh lëgjenden shqiptare të Rozafatit, me mitin e lashtë të Niobës, e njohur nga letërsia botërore, por edhe nga poezia “NIOBA” e Beqir Musliut.

Janë edhe shumë poezi e vargje që lidhen me mitologjinë dhe letërsinë botërore, për të cilën poetesha, si studiuese e pasionuar e lëtërsisë është mjaftë e kompletuar.

Nëpër vargjet e Kaltrinë Berishës, trishtimi është një proces që përjetohet si ndjenjë e fortë që duket se motivon për të shkruar. Ky motiv është mjaftë i pranishëm, dhe i trajtuar me delikatesë dhe ndjeshmëri të hollë. Kjo ndjenjë përjetohet më mirë nga poezia “Sonte i kam shkru vargjet ma t’trishta”, (f.17), ku mungesa e njeriut ma të dashur i kthehen poeteshës në një vajtim të qetë lirik:

“Sonte i kam shkrue vargjet ma t’trishta
ma të dashuna e idhnake
se një letër dashunie
ma të errëta se rruga e vdekatarëve.”

Faqe 17.

Motivin e dhimbjes e ndeshim edhe te poezia “Nën hijen e lajthisë së vjetër”, (f.44), e cila duket si një lidhshmëri e bukur e këtij motivi. Në këtë poezi, “shtatë ditë e shtatë net vajtova”, (po aty, f.44), për njeriun e afërt sepse ai është “Ashti i eshtrave të mia/ dhe mishi i mishit tim”, (po aty, f.44), duke e fshirë çdo gëzim të mundshëm: “Në vend të lumbardhës së Anakreontit/ më erdhi muza e tragjedisë..”, (po aty, f.44), kurse në vazhdimin e kësaj poezie, tri gjethet e lajthisë paraqesin tri shkallë të vajit dhe kujtesës: Gjethja e Parë, sjell vajin e lashtë të Gilgameshit, Gjethja e Dytë, mban peng vajin shqiptar të Tringës, ndërsa Gjethja e Tretë, “mbetet në majën e lajthisë/ e tharë në mëshirën e perëndisë/ e tretur në kujtimet e harresës”, duke krijuar një triptik rrallë të lexuar tjetërkund.

Edhe nëpër disa poezi të tjera, dhimbja ndihet gati si dhimbje fizike. Ta zëmë tek poezia “E pashmangshme si vdekja”, (f.65), shihet se “kujtesa nis e gjëmon n’mriz/ e mbledhur kruspull”, ndërsa mërzia e jetës “shpërthen qelb në stacionet bosh të trenit”, (po aty, f.65). Në poezinë “Njerëzore”, (f.68), zgjimi në mëngjes përshkruhet si “dhunë e heshtur/ lutje të shfrenueme/ ngërçe ekzistenciale”, që bënë njeriun të lëkundet mes dy skajeve: 1) dëshirës për ta dashur gjithçka dhe 2) lodhjes nga gjithkushi. Ndërsa te poezia “Sonatë”, (f.70), i drejton një thirrje Ezos: “Mos më vë faj, e dashur Ezo/ se kësisoj kam me u çmend”, (po aty, f.70), duke theksuar prerazi, “Në gotë përziej/ dhembjen e dhembjen”, (po aty, f.70).

Vëllimi poetik “UNI I NDARË”, ka intencë pozitive që përcillet përmes simbolikës së dritës dhe të muzikës. Në poezinë “Një fije shkrepëse më shumë”, (f.51), katër stinët e vitit maten me dëshirën për pak dritë e ngrohtësi, “aq sa të zgjaste një lojë kukafshehti” në pranverë, si dita që shndëritë kur nis perëndimi i diellit në verë, apo “një shëtitje fund e krye Ibrit” në vjeshtë, derisa në dimër “u shkërmoq edhe kutia e fije të shkrepsave / gjithçka që ishte grumbulluar brenda një shekulli”. E njëjta pritje e dritës shfaqet te poezia “Mbase hana del”, (f.53), kur drita e hënës si një lindje e re del: “Mbase hana del/ kur dhembja fund merr,/ e shndritshme si një foshnje/ kur nana n’lindje i vdes”, (po aty, f.54).

Poezia “Om”, (f.57), që duket se është titulluar sipas një tingulli të shenjtë sipas mitologjisë së lindjes, ndërsa në këtë poezi ndarja e brendshme manifestohet si forcë krijuese, ku qingji i djallëzuar e vesh lëkurën e gjarpri, kurse korbi e vesh gëzofin e ujit, (po aty, f.58), dëshmojnë për aftësinë krijuese që është një pasuri e çmuar e këtij libri:

“Metamorfoza asht zotësi e jona
na të zotët e saj.
Kjo asht larushia e t’përkryemes n’unitet
e t’përkryem janë veç shpirtrat e tillë.”

Faqe 58.

Pak a shumë ky motiv plotësohet nga poezia “Dodekafonia”, (f.59), në të cilën Kaltrinë Berisha, merr shkas nga një stil muzikor modern ku të dymbëdhjetë notat kanë të njëjtën peshë, pa një melodi të zakonshme, por të paprekshme nga muzika klasike e Bethovenit e Wagnerit, kur “uni bahet atonalitet”, (po aty, f.59), ndërsa lumturia bëhet si një ëndërr, dhe si një lehtësim i shpirtit njerëzor: “lumturia nuk lipset/ mjafton në varg me pas’ ma pak dhimbje” (po aty, f.60).

Mund të them se një vlerë mjaftë e veçantë e vëllimit poetik “UNI I NDARË” është pasuria e fjalorit dhe kultura gjuhësore, ku Kaltrinë Berisha futë natyrshëm një gegërishte me tingëllim të ëmbël, dhe me shprehjet: t’eksituem, kërthini, i shndrrum, dhëmballa, ulërin me menje, dihama, etj., që në njëfarë nuance i ka dhënë vargut një ngrohtësi, dhe ky mendim plotësohet më mirë në poezitë: “K.” dhe “Autodidakt”.

Në poezinë përmbyllëse të librit, me titull “Fundi”, poetesha mbledh të gjitha fijet e këtij rrugëtimi të gjatë, nëpër kalvarin e ndjenjës dhe përkushtimit, prandaj këtë poezi po e sjell këtu të plotë:

FUNDI

Thonë se…

”duhet të jemi krenar me dhimbjen,
çdo dhimbje është një përkujtim i rangut tonë të lartë”.

Kështu u kapa në rrjetën e thuru pezull,
orët e hershme në botën e civilizimit
të vonshmet në mes të mesjetës
unin nën hijen e shpellës
bredhur rrugëve si një ujk stepe.

Me raste u ktheva në qingj, gjarpër a korb,
shtigjeve të gjata
harruar nga koha
as me erosin
as me tanatosin,
aty ku ngjizet marrëzia
ujitet me mençuri
dhe nis fantazia,
paskajshmërisht…

Faqe 74-75.

Si përfundim, mund të them se vëllimi poetik “UNI I NDARË” dhe vet Kaltrina Berisha shprehin thellësi të dukshme meditative, duke ftuar lexuesin për të prekur brendësinë e këtij vargu lirik. Autorja me sukses ka arritur ta kthejë përvojën e saj në fushën e studimeve letrare, në një varg poeti që i flet kujtdo. Që nga ishulli i braktisur në poezinë e parë deri te hapësira e pafundme e fantazisë në poezinë e fundit, “UNI I NDARË”, tregon se po të kesh afinitetin krijues të Kaltrina Berishës, edhe kur njeriu ndihet i copëzuar dhe i dërmuar nga realiteti, përmes fjalës së bukur poetike Uni i Tij mbetet gjallë duke i dhënë kuptim jetës.

Prishtinë, 24.11.2026

Share This:

Tags: shefqet Dibrani
Previous post
Next post
Vali Ranch Resort
Exkluzive! – Restaurant Accorn – Makresh – Gjilan
Më të Rejat
Lajme

UKZ nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Esenyurt University

26 November 2026
Lajme

Shefqet Dibrani (Opinion) – Afiniteti krijues që

26 November 2026
Lajme

Takim pune i Drejtorit Rajonal të Policisë

26 November 2026
Lajme

Gjilan: Adnan Syla merr ulësen në Kuvendin

26 November 2026
RELATED Stories for you
Kulturë Lajme Letërsi

Shefqet DIBRANI: DASHURIA SI UNIVERS I METAFORËS

11 May 2026

Muhamet Halili, “KASAFORTA EROTIKE”, poezi, botoi Shtëpia Botuese, “Beqir Musliu”, Gjilan 2025. Faqe 80.

Kulturë Lajme

Ndijime të këndshme me figuracion përjetues

13 January 2023

(Jonida Sheholli, “Malli fshihet nën qepallë”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR Musliu”, Gjilan 2020,

TV Gjilani TV Gjilani

Adresa: Rr. Abdullah Tahiri, p. n, Gjilan, Kosovë.

Tel. +383 44 304 901

Impressum

Kategoritë

Lajme
Sport
Kulturë
Shëndeti

Marketing

Marketing
Shpallje

info@tvgjilani.com

Na ndiqni

©2026. All Right Reserved. TV Gjilani. All rights reserved. Portali Tv Gjilani. com mirëmbahet nga Kompania e Produksionit dhe Botimeve B. I. “Sfinga 07”. Të gjitha materialet e botuara dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen ose botohen gjetiu, e as nuk mund të shtypen e të shfrytëzohen në mënyrë apo formë tjetër, ose për qëllime përfitimi, pa marrë miratimin paraprak nga Tv.Gjilani.com Për shfrytëzimin apo përdorimin e materialeve nga Tv Gjilani.com, secili është i obliguar të marrë aprovimin paraprak dhe të pranoj kushtet e cekura si më lart. Website by Hostinkos.