Kosova triumfon bindshëm ndaj Belgjikës dhe siguron gjysmëfinalen e “IHF Nations Trophy”
Vanesa Kastrati shkëlqeu me 12 gola, ndërsa Kosova arriti fitore 32:21, pavarësisht mungesës së dhjetë lojtareve të ekipit të parë.
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll për femra ka shënuar fitore bindëse ndaj Belgjikës, me rezultat 32:21, në turneun ndërkombëtar “IHF Nations Trophy”, që po zhvillohet në Kranevo të Bullgarisë, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.

Në këtë përballje, hendbollistja Vanesa Kastrati ishte më efikasja te Kosova, duke realizuar 12 gola, ndërsa Elvina Qorraj dhe Orgesa Gola kontribuuan me nga gjashtë gola. Në portë, me pritje të rëndësishme u dallua Aurora Kryeziu.
Fitorja e Kosovës merr vlerë të veçantë edhe për faktin se skuadra po garon në këtë turne pa dhjetë lojtare të ekipit të parë, duke u dhënë hapësirë hendbollisteve të reja që të dëshmojnë potencialin dhe përgatitjen e tyre.
Përzgjedhësi Nenad Shoshtariq ka vlerësuar angazhimin e skuadrës, e cila pas këtij triumfi do të përgatitet për sfidën e radhës ndaj Rusisë.
Kosova kështu vazhdon me paraqitje pozitive në “IHF Nations Trophy”, duke siguruar një vend në mesin e katër skuadrave më të mira të turneut.
