Klubi Letrar “Nositi” nga Dardana shënon 30 vjetorin e veprimtarisë – promovohen tre numra të rinj të revistës
DARDANË, 17 Nëntor 2026 – Klubi Letrar “Nositi” nga Dardana shënon këtë vit jubileun e madh – tridhjetë vjetorin e veprimtarisë kulturore-letrare.
Në kuadër të festave të Nëntorit, të premten, më 20 nëntor 2026, duke filluar nga ora një pasdite në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”, do të mbahet manifestimi solemn i këtij jubileu.
Sipas njoftimit të klubit, në këtë ngjarje do të përurohen edhe tre numrat e fundit të revistës letrare “Nositi”. Bëhet fjalë për numrat njëzet e shtatë, njëzet e tetë dhe njëzet e nëntë, të cilët u botuan brenda këtij viti në shenjë të këtij jubileu.


Veçanti e këtij përvjetori është numri i njëzet e nëntë i revistës, i cili sapo doli nga shtypi. Ky numër del me karakter bibliografik dhe përmban të gjitha përmbajtjet e revistës nga numri i parë deri te numri njëzet e tetë. Përgatitjen e këtij botimi e bëri anëtari i redaksisë, z. Musa I. Ahmetaj.
Në manifestim me kumtesat e tyre do të paraqiten edhe disa nga themeluesit e këtij asociacioni kulturor, të cilët do të sjellin kujtimet e shkruara që nga themelimi e deri në ditët e sotme.
“Udhëtuesit e fjalës së shkruar artistike, janë farkuesit e këtij jubileu” – thuhet në njoftimin e klubit.
Jeta kulturore në qytetin e Dardanës po shënohet me aktivitete të shumta gjatë këtij nëntori, me synimin që suksesi i “Nositi-t” të vazhdojë edhe në nëntorët që vijnë.

