Kushtrim Kadriu ftohet nga Presidenti Begaj në ceremoninë e 28 Nëntorit në Tiranë
Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka marrë ftesë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, për të marrë pjesë në ceremonitë festive me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar.
Kadriu e ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur mirënjohjen për ftesën dhe pjesëmarrjen në shënimin e kësaj feste në Shqipëri.
“I nderuar me ftesën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Flamurit, në atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë”, ka shkruar Kadriu.
Shënimi i 28 Nëntorit në Tiranë tradicionalisht mbledh përfaqësues të institucioneve, personalitete të jetës publike, politike, akademike e kulturore nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, si dhe përfaqësues të diasporës. Kjo ditë, përtej karakterit festiv, shërben edhe si një moment bashkimi dhe kujtese për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Kujtojmë se në prill të vitit 2025, gjatë vizitës në Gjilan, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpall “Qytetar Nderi” i këtij qyteti, ndërsa Universiteti Publik “Kadri Zeka” e nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa”.
