Sibel Halimi doktoron me temën “Trupi si konstrukt shoqëror”, kontribut për zhvillimin e sociologjisë në Kosovë
Sociologia dhe poetja Sibel Halimi ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”, duke përmbyllur një rrugëtim të gjatë akademik dhe kërkimor në fushën e sociologjisë dhe studimeve gjinore.
Mbrojtja publike u mbajt të hënën, më 23 nëntor, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Departamentin e Sociologjisë. Mentorja e disertacionit ishte profesoresha e asociuar Hasnije Ilazi, ndërsa komisioni profesional përbëhej nga Shemsi Krasniqi, kryetar, Ardian Gola, anëtar, dhe Daniela Kalaja nga Universiteti i Tiranës, anëtare e jashtme.

Në një postim në Facebook, Halimi e ka cilësuar këtë moment si përmbyllje të një pune të gjatë studimore dhe një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të sociologjisë së trupit në Kosovë. Ajo ka theksuar se studimi i trupit nuk kufizohet vetëm në dimensionin biologjik, por përfshin edhe mënyrën se si ai formësohet nga shoqëria, kultura, normat dhe përvojat e përditshme.

Disertacioni trajton një fushë të sociologjisë që shqyrton trupin si realitet të ndërtuar edhe përmes marrëdhënieve shoqërore, ndikimeve kulturore dhe normave që përcaktojnë perceptimin e individit për veten. Në këtë kuadër, hulumtimi i Halimit sjell në vëmendje edhe çështje që lidhen me standardet e bukurisë, imazhin trupor, identitetin dhe ndikimin e shoqërisë në përvojat e grave dhe vajzave në Kosovë.
Një pjesë e rezultateve të këtij hulumtimi është publikuar edhe në vitin 2024, në revistën shkencore ndërkombëtare “Academic Journal of Interdisciplinary Studies”, në një punim të përbashkët të Sibel Halimit dhe Ferdi Kamberit, me titull “The Body as a Social Construct: The Kosovan Context on ‘Beauty’ and ‘Look’ from the Perspective of Women and Girls in Kosovo”.
Studimi përfshinte një hulumtim empirik me 350 gra dhe vajza të moshës 16 deri në 65 vjeç, nga mjedise urbane dhe rurale, si dhe dy grupe diskutimi me 14 pjesëmarrëse. Rezultatet evidentuan ndikimin e standardeve të bukurisë në vetëvlerësimin, mundësitë e punësimit dhe perceptimin shoqëror të grave dhe vajzave.

Sibel Halimi është sociologe, poete dhe autore e disa veprave letrare e eseistike. Ajo merret me studime dhe kërkime shkencore në fushën e sociologjisë dhe studimeve gjinore që nga viti 2004, ndërsa ka botuar katër përmbledhje poetike: “Kopshti i Mëkateve”, “Qenia nuk banon këtu”, “Me ekzistu është vetë kuptimi” dhe “Zoti më dashuron mua”, si dhe librin me ese “Shoqëri në Alarm”.
Përveç veprimtarisë akademike dhe krijimtarisë letrare, Halimi është angazhuar edhe në jetën publike e institucionale, përfshirë drejtimin e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.
Mbrojtja e këtij disertacioni shënon një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj aka
