Kurti në 27-vjetorin e ShKK-së: Kemi arsye për krenari, por edhe përgjegjësi për të ardhmen
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit, në një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi Shërbimin Korrektues si një institucion tejet të rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke vlerësuar përparimin e arritur ndër vite.
Ai shprehu mirënjohje për stafin korrektues, i cili, sipas tij, me profesionalizëm dhe përkushtim kryen një punë të vështirë, por jashtëzakonisht të rëndësishme.

Kurti theksoi se Shërbimi Korrektues po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e praktikave të avancuara në këtë fushë, ndërsa shtoi se Qeveria, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe ShKK-në, ka vazhduar investimet në kapacitete të reja dhe përmirësimin e kushteve institucionale.
Kreu i Qeverisë nënvizoi se suksesi i një sistemi korrektues nuk duhet të matet vetëm me ndëshkimin, por edhe me aftësinë për të parandaluar delikuencën dhe për t’u ofruar të dënuarve mundësi për edukim dhe riintegrim në shoqëri.
“Burgu nuk është thjesht vetëm një ndëshkim, por është obligim i yni. Suksesi ynë nuk matet vetëm me ndëshkimin që bëhet, por edhe me parandalimin e delikuencës”, u shpreh Kurti.
Në fund, ai tha se rezultatet e arritura gjatë 27 viteve janë arsye për krenari, por edhe përgjegjësi për të ardhmen, duke siguruar se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë Shërbimin Korrektues në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e mëtutjeshëm të institucionit.
“Vlerësimet dhe rezultatet e arritura janë arsye për krenari për ju dhe gjithë ne, por dhe përgjegjësi për të ardhmen. Jemi të vetëdijshëm që mbeten sfida. Do të presim gjithnjë më shumë prej juve. Qeveria në këtë ngritje të vazhueshme, do të jetë përherë mbështetëse e SHKK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale. Ky është misioni që duhet të vijojë me përgjegjësi e përkushtim. Faleminderit për rolin dhe kontributin për shumë vite”, tha Kurti.
