Ola Emini promovon në Gjilan librin „Kur shpirti flet pa zë“
GJILAN, 19 nëntor 2026 – Në Universitetin „Kadri Zeka“ në Gjilan është promovuar libri „Kur shpirti flet pa zë“, me tregime dhe novela, i autores së re Ola Emini.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë shkrimtari dhe profesori Lan Qyqalla, redaktor i librit, si dhe Prof. Assoc. Dr. Basri Lenjani, recensent i veprës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në përgatitjen dhe vlerësimin e kësaj vepre letrare.
Përmes këtij libri, Ola Emini i bashkohet autorëve të rinj që po provojnë të shprehin botën e tyre krijuese përmes letërsisë. Tregimet dhe novelat e përmbledhura në këtë vëllim përbëjnë një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj letrar, ndërsa vetë promovimi në një hapësirë universitare i dha kësaj ngjarjeje edhe një dimension të veçantë kulturor e akademik.

Suksesi i autores është pritur me krenari edhe nga Shoqata e Fshatit Caravajkë të Preshevës, pasi Ola Emini ka prejardhje familjare nga ky fshat. Për shoqatën, ky botim përfaqëson jo vetëm një arritje personale të autores, por edhe një moment krenarie për komunitetin nga i cili burojnë rrënjët e saj familjare.
Me këtë rast, Shoqata e Fshatit Caravajkë i ka uruar Ola Eminit shëndet, mbarësi dhe suksese të tjera në rrugëtimin e saj letrar e profesional, duke shprehur dëshirën që ky botim të jetë vetëm fillimi i shumë veprave të tjera.
