Mbahet Akademia Përkujtimore në Përlepnicë, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Xhavit Ahmetit
GJILAN, 19 Nëntor 2026 – Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Xhavit Ahmetit, në Shtëpinë e Kulturës në Përlepnicë të Gjilanit është mbajtur *Akademi Përkujtimore.
Organizatorë të akademisë ishin *Këshilli Organizativ i Fshatit dhe SHFMU “Skënderbeu”.

Pas leximit të një biografie të shkurtër për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Xhavit Ahmetit, Bujar Nevzati nga Këshilli Organizativ e cilësoi atë atdhetar dhe intelektual të madh. Sipas tij, Dr. Ahmeti ishte frymëzim, dritë dhe shembull për të gjithë, si dhe njeri me vlera të mëdha.



Ahmet Isufi, ish-komandant i ZOK-ut, tha se Prof. Xhaviti e vuri veten në shërbim të lirisë dhe të atdheut.
Ai theksoi se Përlepnica duhet të jetë krenare me Xhavit Ahmetin dhe me Zija Shemsiun, duke shtuar se Dr. Ahmeti me shpirt e deshi arsimin dhe punoi për të deri në fund të jetës.
Në emër të degës së LDK-së në Gjilan, parti të cilës i përkiste edhe Dr. Xhavit Ahmeti, foli Lirije Abdurrahmani – Kajtazi.

Ajo kujtoi se edhe gjatë kohës kur ishte studente në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore, të gjithë mburreshin me profesor Xhavit Ahmetin, i cili ishte i afërt me të gjithë.

Shefki Bajrami, ish-mësues, bashkëpunëtor dhe bashkëmoshatar i Dr. Xhavit Ahmetit, evokoi kujtime për këtë figurë të madhe të arsimit.
Në emër të familjes Ahmeti foli Qemajl Ahmeti, vëllai i Dr. Xhavit Ahmetit, i cili falënderoi Përlepnicën që kurrë nuk e ka harruar bashkëvendësin e saj.

Në kuadër të këtij përvjetori u prezantua edhe një program i pasur kulturor-artistik, i realizuar nga nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU “Skënderbeu” në Përlepnicë, shkollë ku hapat e parë i kishte marrë edhe vetë Xhavit Ahmeti.

Salla e Kulturës në Përlepnicë ishte e mbushur plot me bashkëpunëtorë dhe bashkëvendës të Dr. Xhavit Ahmetit.
Emrin e tij me krenari sot e mban Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, i cili gjithashtu u përfaqësua në këtë përvjetor me stafin e shkollës, të prirë nga drejtori Bekim Mustafa.
