Kadriu kundërshton ruajtjen e një pjese të burgut të vjetër në oborrin e objektit të ri komunal në Gjilan
Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra” në Gjilan dhe anëtar i Kuvendit Komunal, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me ruajtjen e një pjese të burgut të vjetër, në hapësirën ku po ndërtohet objekti i ri i Komunës së Gjilanit.
Përmes një statusi, Kadriu ka vënë në pikëpyetje vlerën historike të pjesës së mbetur të burgut, e cila cilësohet si objekt i mbrojtur, duke argumentuar se ruajtja e saj nuk duhet të pengojë zhvillimin dhe harmoninë arkitektonike të objektit të ri komunal.
Ai ka theksuar se, përveç të burgosurve politikë, në këtë burg kanë qëndruar edhe persona të dënuar për vepra të ndryshme penale, ndërsa ka shprehur rezerva nëse pjesa që po ruhet përbën trashëgimi me vlerë të veçantë historike.

“Trashëgimia duhet të ruhet, por jo çdo mur i vjetër përbën domosdoshmërisht trashëgimi me vlerë”, ka shkruar Kadriu, duke vënë në pah atë që e konsideron si mospërputhje ndërmjet ruajtjes së kësaj pjese të burgut dhe konceptit modern të objektit të ri komunal.
Çështja e ruajtjes së pjesës së burgut të vjetër, në qendër të Gjilanit, ngre diskutimin për raportin ndërmjet mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe zhvillimit urban, veçanërisht kur bëhet fjalë për hapësira publike me rëndësi për qytetin.
