Pas 37 vitesh në arsim, pensionohet drejtori i shkollës “Nazim Hikmet” në Dobërçan, Fadil Shabani
Pas 37 vitesh kontribut në arsim, drejtori i SHFMU “Nazim Hikmet” në Dobërçan, prof. Fadil Shabani, sot ka mbushur 65 vjet dhe ka përmbyllur karrierën e tij profesionale, duke dalë në pension.
Në një njoftim kushtuar pensionimit të tij, kolektivi i shkollës ka shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe kontributin e Shabanit, i cili për më shumë se 14 vjet e drejtoi këtë institucion arsimor.

I lindur më 28 tetor 1961 në Dobërçan, Fadil Shabani përfundoi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në drejtimin e Kimisë, ndërsa në vitin 1989 nisi punën si mësimdhënës në shkollën “Nazim Hikmet”. Gjatë karrierës së tij, ai kontribuoi në edukimin e shumë brezave të nxënësve, duke qëndruar pranë shkollës dhe misionit arsimor edhe në periudha të vështira.

Në mars të vitit 2012, Shabani mori detyrën e drejtorit të shkollës, të cilën e udhëhoqi për më shumë se 14 vjet. Gjatë kësaj periudhe, sipas njoftimit të shkollës, u realizuan projekte të shumta për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të mësimit, përfshirë pajisjen e kabineteve të Kimisë dhe Informatikës, pasurimin e klasave me videoprojektorë e tabela të mençura, zhvillimin e bibliotekës dhe rregullimin e hapësirave të jashtme.


Nën drejtimin e tij, shkolla shënoi rezultate edhe në gara të diturisë dhe aktivitete të ndryshme, veçanërisht në kimi, matematikë, teknologji informative, robotikë dhe sport. Po ashtu, Plani Zhvillimor i Shkollës u vlerësua nga GIZ ndër dhjetë planet më të mira në Komunën e Gjilanit, ndërsa në vitin 2019, Fadil Shabani u nderua me mirënjohjen si drejtori më i mirë në shkollat e kësaj komune.
Përtej rezultateve dhe projekteve të realizuara, kolektivi i shkollës vlerëson se kontributi i tij do të kujtohet edhe për qasjen njerëzore, urtësinë, bashkëpunimin dhe respektin ndaj kolegëve, nxënësve, prindërve dhe komunitetit.

Me rastin e pensionimit dhe 65-vjetorit të lindjes, kolektivi dhe nxënësit e SHFMU “Nazim Hikmet” në Dobërçan i kanë shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e tyre për 37 vitet e punës në arsim dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e shkollës.

“Kontributi juaj do të mbetet pjesë shumë e rëndësishme e historisë së shkollës sonë dhe shembull i një jete profesionale të ndërtuar mbi vlera”, thuhet në mesazhin e mirënjohjes drejtuar tashmë ish-drejtorit.
Në përfundim, kolektivi i shkollës i ka uruar Fadil Shabanit shëndet, qetësi dhe shumë vite të lumtura pranë familjes, duke e falënderuar për përkushtimin e treguar ndër vite në shërbim të arsimit.

