Agim Agushi nuk arrin ta “pushtojë” majën e Burj Khalifa-s shkaku i lëndimit, por vendos rekord tjetër Guinness me 2.842 shkallë duke zhongluar për 1 orë e 35 minuta
Zhonglimi me kokë i topit gjatë ngjitjes së shkallëve të ndërtesës më të lartë në botë, për një rekord të ri, pritet të certifikohet nga Guinness World Records.
Agim Agushi ka arritur të ngjisë 2.842 shkallë të Burj Khalifa-s, në Dubai, për 1 orë e 35 minuta, pa ndërprerje, duke zhongluar topin me kokë, në përpjekjen e tij për të vendosur një rekord botëror.

Megjithëse nuk arriti ta përfundonte ngjitjen deri në majën e ndërtesës, pasi u detyrua të ndalonte për shkak të problemeve me ligamentet në këmbën e djathtë dhe dhimbjeve që kishte, Agushi ka bërë të ditur se përpjekja e tij përbën një rekord të ri Guinness për numrin më të madh të shkallëve të ngjitura pa ndërprerje, duke zhongluar topin me kokë.

Përmes një postimi, ai ka njoftuar se arriti deri në katin e 139-të të Burj Khalifa-s, duke realizuar ngjitjen e 2.842 shkallëve në kohën prej 1 ore e 35 minutash.

Agushi pret që Guinness World Records (GWR) ta certifikojë këtë arritje në javët në vijim, ndërsa sipas tij, rekordi aktual në këtë disiplinë është 2.000 shkallë.
Nëse certifikohet, kjo do të shënojë një tjetër arritje të veçantë sportive nga Agim Agushi.
