Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu prezanton veprën e re “Fjalor orientalizmash në përrallën shqipe”
Në Ditën e Pavarësisë, Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu prezanton para lexuesve veprën e re studimore “Fjalor orientalizmash në përrallën shqipe”, një kontribut në studimin e leksikut, trashëgimisë gjuhësore dhe ndikimeve orientale në përrallën shqipe.
Shkrim autorial i Prof. Dr. Bahtijar Kryeziut
Në Ditën e Pavarësisë – Edhe një vepër e re
FJALOR ORIENTALIZMASH NË PËRRALLËN SHQIPE
Përralla është njëra ndër gjinitë më të vjetra gojore dhe njëherazi më universale, perceptuar atë në saje të karakteristikave të shumta e të njëjta që ka te popujt e ndryshëm të botës.
Me gjithë tiparet e përbashkëta që ka, ashtu si te popujt e tjerë, edhe përralla shqipe, si pjesë e letërsisë gojore shqiptare, ka zhvilluar veçoritë e veta, të lidhura ngushtë me historinë, kulturën dhe botëkuptimet e shqiptarëve e përtej saj. Pikërisht kjo ndërthurje e traditës vendëse me ndikimet e jashtme e bën përrallën shqipe një burim të pazëvendësueshëm për studimet folklorike, gjuhësore, etimologjike, etnologjike e kulturore.
Nga analiza e materialit të eksploruar për këtë “Fjalor orientalizmash në përrallën shqipe”, që sot e morëm nga shtypi, del se pjesa dërrmuese e orientalizmave në përrallën shqipe kanë hyrë nëpërmjet turqishtes osmane: fjalë me burim turk, arab dhe persian, diku 1186 leksema e lema, të shtrira në 373 faqe.
Identifikimi i leksikut të përrallës shqipe, mbështetur në korpusin e sistemuar në fjalorin tonë, dëshmon një shtresëzim fjalësh, ku bashkëjetojnë elemente vendëse dhe huazime nga tradita të ndryshme gjuhësore, pos orientalizmave, edhe latinizma, italianizma, greqizma, sllavizma etj. Ky shtresëzim nuk është rezultat vetëm i ngulimeve të hershme historike, por edhe i një zhvillimi më të ri – të marrëdhënieve aktuale fqinjësore dhe i ndikimit marramendës të teknologjisë bashkëkohore, siç janë: qarkullimi i njerëzve dhe i ideve; radio-televizioni, interneti, telefonia mobilare; rrjetet sociale: Facebook-u, Instagrami…, e tashti edhe inteligjencia artificiale, që kanë pushtuar botën.
Shtresa turko-osmane përbën, gjithsesi, një nga komponentët më të dukshëm të leksikut. Njësitë si: adet, aga, aksham, bahçe, bakshish, bej, çaush, gjynah, hall, pasha, pazar, sabah, saraj, vezir, xhep etj., që kanë hyrë në shqipe nga gjuhët e Lindjes, nuk janë vetëm huazime leksikore, por tregues të një transformimi të thellë strukturor.

Sesi qëndron puna e orientalizmave në gjuhën shqipe sot, mund të mësojmë nga fjalorët e mëhershëm. “Te fjalori i shoqërisë ‘Bashkimi’ (1908), 1 në çdo 8 fjalë është orientalizëm; te ‘Fjalori i gjuhës shqipe’ (1954), ky raport është 1:16, kurse te ‘Fjalori i gjuhës së sotme shqipe’ (1980), gjenden 1800 orientalizma dhe raportin 1:23 (Wikipedia, 2024).
Në korpusin e fjalëve të huazuara në përrallën shqipe, që i kemi bërë temë trajtimi, kemi hasur dhe një numër orientalizmash, që kanë hyrë në gjuhën shqipe përmes disa gjuhëve ballkanike (e jo vetëm), si për shembull, përmes greqishtes: anangas (vep.), turq. anȃngiç / anangı (nga greq. anánkē), me kuptime: ngacmoj ose shqetësoj dikë me fjalë; kandil (m.) turq. kandil < arab. qandīl قنديل, e kjo nga greq. e vj. kandēla / kandēlos: llampë, dritë e varur; sepet,-ja (f.) turq. sepet < nga greqishtja mesjetare sepeti / sepeton: shportë, trastë për të mbajtur gjëra.
Madje edhe Stambolli (m.) ka etimologji nga greqishtja mesjetare εἰς τὴν Πόλιν (eis tin Polin) > turq. İstanbul > shqip. Stamboll: qendra e Perandorisë Osmane; gabelicë,-a (f.) turq. gâvur / gābıl / gabel, gruaja ose e bija e gabelit: cigane, arixheshkë, hyrë në shqipe nga serbokroatishtja: gabelj / ciganin (forma dialektore); rumanishtja popullore gabor dhe forma të tjera ballkanike për romët.

Edhe fjala jahudi,-u (m.) turq. Yahudi < arab. yahūdī (يهودي), lidhet me hebraishten Yehudi, me kuptimin: banor i Judesë / Judean; hebre, çifut, izraelit. Nga hebraishtja (si gjuhë joballkanike) mendohet se vjen edhe fjala xhebrail,-i (m.) fet. mit. turq. cebrail < arab. jibril, pra, huazuar nga hebraishtja biblike: engjëll lajmëtar (sipas besimeve fetare), e gjuhë të tjera.
Megjithëkëtë, “epërsia” e orientalizmave ndaj huazimeve prej gjuhëve fqinje ballkanike mund të shpjegohet nga disa arsye:
- së pari, hyrjes së tyre i ka hapur rrugë të gjera administrata (5 shekullore) shtetërore osmane, shërbimi ushtarak etj.;
- së dyti, shërbesat fetare myslimane dhe arsimi e përkatësia fetare e shumicës së popullatës shqiptare;
- së treti, lidhjet ekonomike me qendra zejtare e tregtare të Turqisë, si dhe emigracioni ekonomik i shqiptarëve (stinorë ose afatgjatë) në këto qendra (Dizdari, N. Tahir, Persizmat në gjuhën shqipe, Tiranë, 2010, f. 27).
Orientalizmat janë një nga shtresat më të dukshme të gjuhës së përrallës dhe tregimit popullor shqiptar, sidomos në Kosovë dhe në viset veriore e qendrore të Shqipërisë. Në shumë raste, këto fjalë nuk perceptohen më si të huaja nga folësit e shqipes, që dëshmon për shkallën e lartë të integrimit të tyre në sistemin tonë gjuhësor, si p.sh.: açik, aksham, bahçe, bojë, çorbë, dadë, divan, erz, esnaf, fall, gazep, gjynah, haber, hise, ilaç, japi, jemek, kabile, llaf, medet, nafakë, ortak, çarshi, pazar, qafir, razi, sokak, sherr, tepsi, usta, vatan, xhade, yrysh, zabit etj., etj.
Në këtë kontekst, me gjithë përpjekjet dhe misionin e rilindësve e të studiuesve tanë për pastrimin e gjuhës sonë nga fjalët e huaja, disa fjalë kanë shti rrënjët thellë në shqipe, saqë nuk mund “të shkulen”, pa lënë mangësi në gjuhë, ngase, pa disa nga ato fjalë të huazuara, në mungesë të përgjegjësve tona, gjuha nuk do ta kryente si duhet funksionin e saj.
Shtrohet pyetja: “Si do të flinim pa çarçaf, jastëk dhe jorgan? Si do të pastrohemi pa sapun e peshqir? Çka do të mbathnim nëse jo çorape dhe papuçe a sandale, e ndoshta edhe çizme? Çfarë do të pinim nëse jo çaj me limon, kafe me sheqer a raki e duhan? Si do të hanim pite a sarma? Si do të thoshim për diçka se është e butë si pambuku ose e fortë si çeliku?” (Ranko Bugarski, Hyrje në gjuhësinë e përgjithshme, Beograd – Novi Sad, 1996, f. 78.), ku një numër fjalësh nuk janë shqipe, por shqiptarët i përdorin denbabaden, meqë nuk kemi përgjegjëset tona të mirëfillta.
Derisa orientalizmat e mësipërm nuk mund të mënjanohen, në mungesë të përgjegjësve të tyre në shqipe, një numër syresh, mund edhe të zëvendësohen “pa cenuar kuptimin dhe vlerat stilistike (disa nga të cilat i kemi inventar në fjalorin tonë, B. – K.), si p.sh. avash – ngadalë, dembel – përtac, hala – ende, akoma, hazër – gati, kollaj – lehtë, komshi – fqinj, okllai – petës” (Emil Lafe, Vendi i orientalizmave ndër huazimet shqipe, Studime filologjike, nr. 1-4, Tiranë, 1993, f. 38).
Megjithatë, ka disa fjalë të tjera orientale, edhe pse kanë shtrirje të gjerë e përdorim të përditshëm në të folmet tona, nuk janë përfshirë në fjalorët tanë të deritashëm, e as te “Fjalor i madh i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2026), të cilat i kemi ndeshur në përrallën shqipe, si p.sh.: allahile, alltanxhi, çallgi, dakik, dibiduz, dost, duvar, dymen, hastallëk, hudut, hyrom, iftibar, iftijaç, igball, ishalla (inshalla), isharet, izë, kapixhik, mizevir, shyhret, xhemat, etj., etj.
Disa nga orientalizmat e hasur në përrallën shqipe e të paraqitur në veprën “Fjalor orientalizmash në përrallën shqipe”, shpërfaqen në disa fusha të ndryshme të jetës sonë, përfshirë këtu, natyrisht, edhe ata orientalizma që në letërsinë shqipe përdoren kryesisht për arsye stilistike (ngjyrim kohor, atmosferë, karakterizim personazhesh, humor, ironi, realitet shoqëror) etj. Këtë e dëshmojnë edhe poetët e shkrimtarët në krijimtarinë e tyre letrare.
Ndër fushat kryesore ku këto huazime kanë gjetur “djepin e rehatinë” gjatë viteve e shekujve, janë:
a) Fusha e administratës dhe e pushtetit – që përfshin fjalë e terma, si: aga, bashçaush, beg, bylykbash, çaush, dovlet, kajmekam, padishah, vezir, pasha, shah…
b) Fusha fetare dhe morale: Allah, ahiret, ezani, duaja, hatme, imam, hoxhë, namaz, erz, erzeli…
c) Fusha shoqërore dhe zakonore: adet, esnaf, muhabet, xhemat…
ç) Fusha e kulturës materiale: çakmak, biçak, dylbi, kazan, qemer, qyp, saan (sahan), sahat…
d) Fusha e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale: çardak, hamam, han, harem, kala, karakoll; çejz, duvak, ferexhe, xhamadan, fes, sixhade, mejtep, xhami, xhybe…
dh) Fusha e personave me mungesë edukate, ose që kanë të meta mentale: ahmak, belaxhi, bilmes, delenxhi, eksik (eksiq), fodull, hallajkë, horr, kopuk, rezil, teveqel, torollak…
e) Fusha e përcaktimit të kohës: aksham, sabah, zaman…
ë) Fusha e mjeshtërive dhe e artizaneteve: bardakçi, bozaxhi, kallajxhi, kasap, nallban…
f) Fusha e afrisë familjare ose e lidhjeve shoqërore: axhë, babë, dost, jaran…
g) Fusha e mitologjisë: div, xhind, ezhdërha, melaqe, nalet, lanet, shejtan, xhebrail…
gj) Fusha e zoologjisë: asllan (luan), fil, harmëshor (hamshor), kapllan (tigër), karakosh…
h) Fusha e botanikës: boston (shalqi), karpuz, pamuk, pasul, susam, zymyl (zymbyl)…
Po përmendim këtu edhe një tipar fjalësh që na ka shoqëruar gjatë punës sonë, siç ka vënë re me të drejtë akademik Gjovalin Shkurtaj në veprën e tij “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, AShSH, Tiranë, 2021, f. 34, kur veçon se një numër jo i vogël fjalësh orientale, në toskërishten janë theksfundore (ose oksitone), ashtu si në gjuhën prej nga e kanë zanafillën, kurse në gegërishten ato paraqiten si paratheksore (paroksitone)… pa vlerë kuptimdalluese, si te shembujt tanë: geg. ága – tosk. agá (Fj. 2026 – agá); geg. bakllávë/a – tosk. bakllavá (Fj. 2026 – bakllavá), geg. káfe – tosk. kafé (Fj. 2026 – káfe dhe kafé), geg. xháde – tosk. xhadé (Fj. 2026 – xhadé) etj., etj.
Pa u zgjatur më tepër këtu, po shtojmë edhe këtë se, i hymë kësaj pune ne tre kolegët, krejt rastësisht, një vit më parë: Begzad Baliu (që ishte nismëtari kryesor i projektit “Fjalor i përrallës shqipe”, që pritet të botohet), siguroi lëndën e këtij projekti, Asllan Hamiti mori (pos disa interpretimeve e shpjegimeve) caktimin e burimeve të zërave që i morëm në syzim, të cilët autorë duhen falënderuar përzemërsisht për kontributin e tyre të përkorë, kurse unë u zotova për trajtimin e një korpusi fjalësh të përrallës shqipe (turqizma, persizma e arabizma), nga aspekti leksiko-gramatikor e, për sa na lejuan mundësitë, edhe nga ai etimologjik. Nga këto vrojtime, na lindi edhe ideja e hartimit të veprës “Fjalor orientalizmash në përrallën shqipe”, të cilin edhe po e prezantojmë para lexuesit.
E do puna që, me këtë rast, t’i përgëzojmë me shumë sinqeritet e zemër edhe dy autorët e dy recensioneve për këtë fjalor, Akademik Gjovalin Shkurtajn dhe Prof. dr. Begzad Baliun, të cilët, me penën e tyre të mprehtë e me një akribi të veçantë, siç dinë ata, iu qasen vlerësimit të fjalorit në mënyrë gjithëpërfshirëse, për atë që është thënë dhe për atë që është dashur të thuhet.
Po ashtu, një falënderim i ngrohtë u shkon edhe dy përkthyesve të Përmbylljes së fjalorit, në gjermanisht (Prof. dr. Naim Kryeziut) dhe në anglisht (Mr. sc. Avni Islamit), pa lënë anash, assesi edhe ndihmën materiale të Bashkësisë Islame të Gjilanit, që ofroi për botimin e kësaj vepre.
Me daljen në dritë të kësaj vepre, i takon lexuesit të thotë fjalën e tij, pa farë ngurrimi, sepse, sigurisht, ka edhe çka të thuhet, kur dihet se etimologjia është ndër fushat albanologjike më komplekse, fushë me plot “mina”, jo e lehtë, qoftë e studiuar ajo edhe nga gjuhëtarët, etimologët e leksikografët më të shquar ndër ne, si: E. Çabej, M. Domi, I. Ajeti, Sh. Demiraj, K. Ashta, D. Luka, A. Kostallari, E. Lafe, Gj. Shkurtaj, T. N. Dizdari, A. Omari, K. Topalli, R. Ismajli, A. Jashari, Ç. Bidollari, S. Gashi, Q. Murati, B. Baliu etj.
