Kryetari Alban Hyseni: Parku Industrial do të sjellë vende të reja pune dhe mbështetje për prodhuesit gjilanas
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Gjilan, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Njoftimi për këtë takim është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale nga kryetari Hyseni, pasi mediat nuk ishin informuar paraprakisht për organizimin e tij.
Sipas Hysenit, në qendër të diskutimeve ka qenë projekti i Parkut Industrial, të cilin e ka cilësuar si një projekt me potencial të madh zhvillimor për komunën e Gjilanit.

Ai ka theksuar se, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, po punohet për sigurimin e lejeve dhe ndërtimin e infrastrukturës së kësaj zone ekonomike, e cila, sipas tij, pritet të krijojë vende të reja pune dhe të fuqizojë sektorin prodhues në komunë.
“Në fokus të diskutimit tonë ishte Parku Industrial, një projekt me potencial të jashtëzakonshëm industrial për komunën tonë. Bashkë me Qeverinë Kurti po punojmë për lejet dhe infrastrukturën e kësaj zone të gjelbër ekonomike, e cila do të sjellë vende të reja pune dhe fuqizim për prodhuesit tanë”, ka shkruar Hyseni.
Në fund të njoftimit, ai ka falënderuar ministren Mimoza Kusari-Lila për mbështetjen, si dhe bizneset gjilanase për, siç është shprehur, bashkëpunimin e hapur.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se takimi me rreth 50 biznese të Gjilanit shënoi fazën e dytë të procesit për ndërtimin e Parkut Industrial. Sipas saj, qëllimi ishte dëgjimi i rekomandimeve dhe nevojave të bizneseve në fazën e projektimit, ndërsa studimi i fizibilitetit tashmë është përfunduar dhe hapi i radhës është hartimi i projektit përfundimtar. Ajo theksoi se Parku Industrial, i planifikuar në një sipërfaqe prej rreth 150 hektarësh në Lipovç të Epërm, synon të tërheqë investitorë strategjikë, të krijojë vende të reja pune dhe të zhvillohet mbi parimet e ekonomisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
