Intelektualët organizojnë shkuarje masive në Prishtinë për ndeshjen e Dritës në Champions League
Grupi i tifozëve të FC Dritës, Intelektualët, ka paralajmëruar shkuarje të organizuar në Prishtinë për të mbështetur ekipin gjilanas në ndeshjen kthyese të raundit kualifikues në UEFA Champions League ndaj Zhalgirisit.
Përmes një njoftimi publik, Intelektualët kanë ftuar të gjithë tifozët që nesër të udhëtojnë së bashku drejt kryeqytetit për të mbështetur ekipin e zemrës.
“Djemtë në fushë kanë nevojë për mbështetjen tonë maksimale. Është momenti që edhe ne, nga tribuna, ta japim maksimumin dhe t’i tregojmë Evropës se çfarë do të thotë të kesh pas vetes Intelektualët”, thuhet në njoftim.

Tifozët gjilanas do të vendosen në tribunën veriore të stadiumit Fadil Vokrri. Për këtë arsye, Intelektualët u bëjnë thirrje të gjithë anëtarëve dhe tifozëve të sigurojnë bileta për atë sektor. Ata që nuk kanë arritur të sigurojnë biletën më herët, do të mund ta marrin edhe në pikën e grumbullimit para nisjes.
Grumbullimi i tifozëve do të bëhet nesër në ora 17:00 te Stadiumi Selami Osmani – Bezi në Gjilan, ndërsa nisja drejt Prishtinës është planifikuar për në ora 18:00. Organizatorët kanë theksuar se nuk do të ketë tolerime për vonesa.
Ndeshja mes Dritës dhe Zhalgirisit është pjesë e aventurës evropiane të kampionit të Kosovës në Champions League.
