Studentët bllokojnë hyrjen e Rektoratit të UP-së, rektori thërret Senatin në mbledhje online
Studentët përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës (UP) kanë bllokuar sot, më 25 nëntor, hyrjen e Rektoratit, duke pamundësuar mbajtjen e mbledhjes së Senatit me pjesëmarrje fizike. Si pasojë, rektori Arben Hajrullahu ka vendosur që mbledhja të zhvillohet në formë online.
Studentët kanë kundërshtuar mbajtjen e mbledhjes, duke argumentuar se në rendin e ditës nuk është përfshirë asnjë nga kërkesat e tyre.
Kryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Flon Kastrati, ka bërë të ditur se studentët janë mbledhur para Rektoratit rreth orës 09:20, duke shpjeguar edhe arsyet e protestës dhe bllokimit të hyrjes.
“Rektori vazhdon të mos tërhiqet nga gjuha e përdorur në emailin drejtuar studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa asnjë nga kërkesat e studentëve nuk është adresuar në rendin e ditës të mbledhjes së sotme të Senatit”, deklaroi Kastrati për KALLXO.com.
Ai ka theksuar se studentët janë në pritje të vendimit të Këshillit Drejtues lidhur me kërkesën e tyre për shqyrtimin e veprimeve të fundit të rektorit, ndërsa ka bërë të ditur se ata mbeten të vendosur në qëndrimet dhe kërkesat e tyre.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave, rektori ka vendosur që mbledhja e Senatit të mbahet online, në orën 11:00. Disa senatorë, të cilët kanë tentuar të hyjnë në Rektorat për të marrë pjesë në mbledhje, janë penguar nga studentët dhe janë detyruar të kthehen.
