Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, takon kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani – Hyseni: “Gjilani do të mbetet pranë Preshevës”
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga nënkryetari Arianit Sadiku, ka vizituar Preshevën, ku është pritur nga kryetarja e kësaj komune, Ardita Sinani. Në takim është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Gjilani dhe Presheva, përveç afërsisë gjeografike, i lidhin edhe historia, vlerat dhe synimet e përbashkëta. Në këtë frymë, vizita e delegacionit nga Gjilani në Preshevë është shoqëruar me një takim miqësor, ku është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy komunave.

Gjatë takimit me kryetaren Ardita Sinani, kryetari Hyseni ka biseduar për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta, koordinimin institucional dhe shkëmbimin e përvojave, me synim që bashkëpunimi të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët e të dy komunave.

Me këtë rast, Hyseni e ka uruar Sinanin për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke i dëshiruar suksese në vazhdimin e angazhimit të saj në shërbim të qytetarëve të Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës.

Përmes këtij takimi është ritheksuar rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, veçanërisht në fusha ku përvojat dhe interesat e përbashkëta mund të shërbejnë si bazë për iniciativa të reja zhvillimore.
“Gjilani ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pranë Preshevës”, ka theksuar Hyseni, duke falënderuar kryetaren Sinani për mikpritjen dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave.

