Ardita Sinani: ARRITJE HISTORIKE: Shqiptarët marrin 2 mandate në Kuvendin e Serbisë
Ardita Sinani: “Bashkimi ynë politik po jep rezultate historike”
PRESHEVË – Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë shënuar rezultat historik në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi.
Sipas rezultateve preliminare të shpallura, “Koalicioni Shqiptar” ka siguruar 27.230 vota. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, kjo shifër përfaqëson ekuivalentin e 36.761 votave për ndarjen e mandateve.
Kjo do të thotë se shqiptarët do të kenë 2 deputetë të sigurt në Kuvendin e Serbisë, dhe janë në garë edhe për mandatin e tretë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“ARRITJE HISTORIKE! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin! Bashkimi ynë politik po jep rezultate historike!” – shkruan Sinani.
Kryetarja e Preshevës ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për pjesëmarrjen në votime.
“Falënderoj nga zemra secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që ushtroi të drejtën e votës, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë bashkim” – tha ajo.
Sinani ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen në bashkimin e faktorit politik shqiptar në Luginë.
“Mirënjohje të veçantë Kryeministrit Albin Kurti për mbështetjen dhe angazhimin në bashkimin e faktorit politik shqiptar. Të bashkuar, më të fortë në përfaqësim!” – përfundon postimi i saj.
Ky është rezultati më i mirë i përfaqësimit shqiptar në Serbi në vitet e fundit.
