VITI – THEMELOHET SHOQATA E MJEKËVE TË VITISË – ZGJIDHEN ORGANET DREJTUESE
Në Viti u mbajt Kuvendi Themelues i Shoqatës së Mjekëve të kësaj komune, duke shënuar një moment të rëndësishëm për organizimin profesional të komunitetit mjekësor.
Takimin e hapi Dr. Vjollca Kadolli-Halili, kryesuese e Këshillit Inicues, e cila theksoi rëndësinë e bashkimit të mjekëve.
“Krijimi i një organizimi profesional që do të shërbejë si platformë e përbashkët për bashkëpunim, zhvillim profesional dhe adresim të çështjeve me interes për komunitetin e mjekëve”, tha ajo.

Për rëndësinë dhe procesin e themelimit foli edhe Dr. Shemsedin Sadiku, i cili vuri në pah nevojën për një organizim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mjekëve.

Kuvendin e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, i cili uroi mjekët për themelimin e shoqatës dhe shprehu mbështetjen e plotë të komunës për këtë organizim.
Gjatë Kuvendit u miratuan Statuti dhe Rregullorja e Punës, të cilat do të shërbejnë si bazë për funksionimin e Shoqatës.
Me vendim të Kuvendit u zgjodhën edhe organet drejtuese:
• Kryetar i Shoqatës: Dr. Gazmend Halili
• Kryesues i Kuvendit: Dr. Ramadan Halimi
• Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës: Dr. Bashkim Hazizi

Me përfundimin e Kuvendit Themelues, Shoqata e Mjekëve të Vitisë nis zyrtarisht veprimtarinë e saj.
Synimi kryesor është krijimi i një hapësire të përbashkët profesionale për mjekët e Vitisë, fuqizimi i bashkëpunimit, zhvillimi i vazhdueshëm profesional, shkëmbimi i përvojave, organizimi i aktiviteteve shkencore, si dhe promovimi i standardeve të larta të etikës dhe deontologjisë mjekësore.
“Kjo ditë shënon fillimin e një kapitulli të ri të organizimit profesional të mjekëve të Vitisë, i ndërtuar mbi bashkëpunim, profesionalizëm, respekt dhe përgjegjësi ndaj profesionit dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim.
