Tragjedi në Roganë të Kamenicës, 48-vjeçari dyshohet se konsumoi detergjent në shtëpi, vdes në QKUK
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Rogoqicë të Kamenicës, ku një burrë ka humbur jetën pasi dyshohet se kishte konsumuar një substancë kimike në shtëpinë e tij. Pavarësisht dërgimit për trajtim mjekësor në Gjilan dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai nuk ka arritur të mbijetojë.
Sipas burimeve mediale, viktima është Feriz Kallaba, rreth 48 vjeç, nga Rogoqica.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 17 nëntor, rreth orës 08:15, kur dyshohet se Kallaba, derisa ndodhej në shtëpinë e tij, kishte konsumuar një sasi detergjenti.

Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, ndaj fillimisht ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan, prej nga ishte transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK, në Prishtinë.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe njësia rajonale e kriminalistikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe veprimet e nevojshme hetimore.
Rreth orës 18:00, personeli mjekësor i QKUK-së ka njoftuar Policinë se Kallaba kishte ndërruar jetë.
Pas konfirmimit të vdekjes, është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa rrethanat dhe shkaku përfundimtar i vdekjes mbeten për t’u përcaktuar nga hetimet dhe ekzaminimi mjekoligjor.
