Izmi Zeka: Nuhi Berisha – Nga demonstratat e ’81 te organizimi ilegal dhe sakrifica për liri
OPINION nga Izmi Zeka – Me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Heroit Nuhi Berisha
Nuhi Berisha: Veprimtaria kombëtare, krijimtaria dhe rruga drejt luftës çlirimtare
Nuhi Berisha, ndonëse në moshë të re, u angazhua në veprimtarinë kombëtare shqiptare në Kosovë dhe në përpjekjet për organizimin e rezistencës kundër pushtetit jugosllav. Ai ishte pjesëmarrës në zhvillimet e vitit 1981, veprimtar i organizimit ilegal dhe autor i shkrimeve me karakter politik, historik e organizativ.

Izmi Zeka

Veprimtaria e tij përbën një lidhje ndërmjet përvojës së demonstratave të vitit 1981, veprimtarisë së organizuar ilegale dhe përpjekjeve të mëvonshme për krijimin e parakushteve të luftës çlirimtare.
Në vlerësimin e figurës së Nuhi Berishës, krahas veprimtarisë së tij atdhetare, rëndësi të veçantë ka edhe krijimtaria e shkruar. Ai botoi veprën “Pranvera e Luleve të Kuqe” dhe përgatiti broshurën “Mendime mbi organizimin”. Këto dy vepra paraqesin dy aspekte të veprimtarisë së tij: dëshminë dhe reflektimin mbi zhvillimet politike të fillimit të viteve ’80, si dhe mendimin e tij për organizimin e veprimtarisë ilegale.

Krijimtaria dhe dëshmitë për demonstratat e vitit 1981
“Pranvera e Luleve të Kuqe” është një dëshmi e rëndësishme për demonstratat e vitit 1981, të parë nga këndvështrimi i një pjesëmarrësi dhe veprimtari që i përjetoi drejtpërdrejt ato zhvillime.
Nuhi Berisha i përshkruan ngjarjet që nga demonstrata e 11 marsit, duke vijuar me zhvillimet e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit dhe me pasojat e tyre. Në vepër trajtohen atmosfera në konvikte, përfshirja e studentëve dhe shtresave të tjera të shoqërisë, reagimi i pushtetit, arrestimet, dhuna dhe shtrirja e demonstratave në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Në shkrimin “Dimra të vështirë”, Nuhi Berisha përshkruan fillimin e demonstratës së 11 marsit në mensën e studentëve. Sipas rrëfimit të tij, pakënaqësia për kushtet e ushqimit u shndërrua në protestë dhe më pas në marshim drejt qytetit. Studentëve iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, ndërsa kërkesat fillestare për kushte më të mira të jetesës u shndërruan gradualisht në kërkesa politike.
Berisha përshkruan edhe qëndrimet e ndryshme brenda Universitetit të Prishtinës. Ai vëren se një pjesë e profesorëve i përkrahnin studentët, ndërsa kishte edhe të tjerë që e kundërshtonin veprimtarinë e tyre dhe mbanin qëndrime në përputhje me politikën zyrtare.
Në vijim të veprës, Nuhiu përshkruan zgjerimin e demonstratave, sidomos më 26 mars. Ai sjell hollësi mbi grumbullimin e njerëzve, komunikimin ndërmjet demonstruesve, këngët dhe parullat, rrethimin nga policia dhe përdorimin e njësive speciale. Ndër parullat e përmendura prej tij ishin: “Duam shokët”, “Duam kushte”, “Duam liri”, “Unitet”, “Trepça është jona”, “Poshtë tradhtarët” dhe, më pas, “Kosova Republikë”.
Ngjarjet e 1 dhe 2 prillit zënë një vend tjetër të rëndësishëm në libër. Në shkrimin “Prilli i kuq”, ai trajton edhe fjalimet e mbajtura para demonstruesve dhe qartësimin e kërkesave politike. Në këtë kontekst përmendet edhe figura e “punëtorit”, me të cilën identifikohej Hydajet Hyseni.
Në pjesët e mëvonshme të veprës trajtohen pasojat e demonstratave: shpallja e orës policore, burgosjet, mbyllja e shkollave dhe e Universitetit të Kosovës, dënimet e demonstruesve dhe përndjekja e veprimtarëve. Në fund të veprës, ai i rikthehet edhe vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani.
Veprimtaria organizative dhe bashkëpunimi me Rexhep Malën
Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së Nuhi Berishës ishte organizimi i veprimtarisë ilegale. Në këtë kuadër, krahas veprës “Pranvera e Luleve të Kuqe”, ai përgatiti broshurën “Mendime mbi organizimin”. Në të trajtohen çështje që lidhen me strukturimin e veprimtarisë, takimet, komunikimin, ruajtjen e literaturës, konspiracionin dhe disiplinën e veprimtarëve.
Pas burgosjes së një numri të madh bashkëveprimtarësh, Nuhi Berisha vazhdoi veprimtarinë. Një zhvillim i rëndësishëm ishte lirimi i Rexhep Malës nga burgu në vitin 1983. Takimi i tij me Nuhi Berishën në Gërmi, i mundësuar nga Teuta Hadri, shënoi fillimin e një bashkëpunimi të ngushtë.
Pas këtij takimi, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala u angazhuan në riorganizimin e veprimtarisë ilegale. Veprimtaria e tyre u zhvillua në kushte të ndjekjes së vazhdueshme nga organet e sigurimit jugosllav.
Më 10 janar 1984, forcat e policisë dhe të ushtrisë jugosllave i rrethuan në një lagje të Prishtinës. Përleshja vazhdoi gjatë natës dhe në orët e para të 11 janarit. Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala nuk pranuan të dorëzoheshin dhe ranë gjatë përballjes me forcat serbe.
Rënia e tyre më 10–11 janar 1984 shënoi fundin e veprimtarisë së dy prej figurave të njohura të organizimit ilegal të asaj periudhe.
Figura e Nuhi Berishës përbën një ndërthurje të veprimtarisë politike, organizative dhe krijimtarisë së shkruar. “Pranvera e Luleve të Kuqe” ruan dëshmi mbi demonstratat e vitit 1981 dhe përjetimin e tyre nga një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, ndërsa “Mendime mbi organizimin” pasqyron konceptimin e tij për organizimin e veprimtarisë ilegale.
Përmes këtyre dy veprave dhe veprimtarisë së tij, Nuhi Berisha përfaqëson një brez veprimtarësh që e lidhën përvojën e demonstratave të vitit 1981 me riorganizimin e mëtejshëm të rezistencës kombëtare.
