Kamberi: “Koalicioni Shqiptar” dorëzoi listën për zgjedhjet në Serbi
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se “Koalicioni Shqiptar” ka dorëzuar listën e kandidatëve në Komisionin Zgjedhor të Serbisë.
“Faleminderit çdo aktivisti të partive politike për angazhimin dhe çdo shqiptari të Luginës për mbështetjen”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka thënë se, në një kohë kur shumë gjëra i ndajnë shqiptarët, lufta kundër diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve duhet t’i bëjë bashkë.

“Në këto zgjedhje, për herë të parë, të gjithë të bashkuar në një listë, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, vazhdojmë betejën me një qëllim të qartë, që e vërteta e Luginës të jehojë sa më fuqishëm”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka thënë se kësaj here kanë mundësi reale që të përfaqësohen me më shumë se një deputet.
“Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum”, ka shkruar ai.
Kamberi ka theksuar se, në një periudhë kur Serbia mund të përjetojë ndryshime të mëdha politike, qëndrimet e tyre dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve duhet të jenë tema që nuk mund të anashkalohen lehtë.
“Le të na prijë e mbara, BASHKË”, ka përfunduar Kamberi.
