Kolonia “Rrënjët e Lirisë” në Londër mbledh emrat e shquar të artit shqiptar – pjesë edhe artistja premtuese, Leoneta Abdyli nga Bujanoci
Artistja nga Bujanoci, Leoneta Abdyli, do të prezantojë punën e saj artistike në Koloninë kolektive ndërkombëtare të artit “Roots of Freedom and Identity” – “Rrënjët e Lirisë dhe Identitetit”, e cila do të mbahet në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.
Abdyli është përzgjedhur në mesin e 21 artistëve pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme që ka për qëllim promovimin e vlerave artistike dhe identitetit kulturor shqiptar përtej kufijve.

Pjesëmarrja e saj vjen në një kohë kur krijuesit nga Gjilani, Anamorava dhe mbarë hapësira shqiptare po shënojnë prezencë gjithnjë e më të fuqishme në skenën ndërkombëtare, ndërsa tani kësaj vale i bashkohet edhe një zë i ri nga Lugina e Preshevës.


Ekspozita bashkon artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të cilët përmes artit përcjellin mesazhe mbi rrënjët, identitetin, lirinë dhe lidhjen e pandashme me vendlindjen dhe trashëgiminë kulturore.

Kolonia kuruar nga Emine Jetishi organizohet nga “Successful Mothers” dhe Instituti Shqiptaro-Evropian, dhe do të zhvillohet në Central Library në Londër, ku artistët shqiptarë do të ekspozojnë krijimtarinë e tyre para publikut britanik dhe ndërkombëtar.

Me këtë angazhim, arti shqiptar dëshmon edhe një herë se ka rrënjë të thella dhe zë që dëgjohet larg, nga trevat tona e deri në qendrat më të mëdha kulturore të botës.
