Nga: Silvana Begaj, Suedi: – Përsëri një vrasje!
Një nga ato vrasje që janë kthyer fatkeqësisht në të zakonshme! Është një vrasje si shpëtim nga ferri ku jetojnë!
Vret veten përsëri një grua, një nënë, një bashkëshorte, një motër. Vret veten sepse shikon vdekjen si parajsë nga dhuna psikologjike dhe fizike që merr nga kjo jetë …
Vret veten pa u menduar dy herë dhe me veten vret dhe këdo që e donte në këtë jetë.
Dhe ashtu si e do zakoni vërshuan ngushëllimet e sinqerta dhe të pasinqerta.
Jam e sigurt se shumë nga ato që po shkruajnë romane ngushëllimi e dinin situatën e saj sepse nuk mbulohet dielli me shoshë dhe nuk kanë reaguar, por pritën të shkruajnë këtë mesazh sot.
Asnjë nuk reagon kur duhet reaguar! Në fund të fundit secili e zgjedh vetë jetën e tij…
Vras mendjen me veten time! Si ndihen sot këto që kanë vjell vrerë për të ndjerën? Se rasti i Bedrije Lokës gjendet tek çdo grua në Shqipëri që rëndohet psikologjikisht aq shumë sa të vrasi veten….
Ndjejnë më të njëjtin ekzaltim? Apo tani po shikojnë për prenë e radhës?
Mllefi i shoqërisë tonë po vret çdo ditë njerëz!
Tregojnë inate dhe thurin intriga për këdo! Disa me gojë e disa fshihen pas një tastiere telefoni apo kompjuteri duke i bërë akuza nga më të ndryshmet.
Nuk kanë kohë të motivojnë gratë në situata të tilla të tmerrshme! Nuk kanë dëshirë t’iu japin jetë grave dhe vajzave në Shqipëri!
Bota dhe jeta nuk përfundon me një ndarje, por ky grup i mllefosur, kryesisht gra, zgjedhin ta baltosin, ta gjykojnë.
Në librat e shenjtë thuhet se: Mëkat nuk është vetëm kur bën diçka të keqe, por edhe kur e mendon ta bësh atë gjë!
Prandaj, largojini këto mllefe dhe inate që shfaqni duke bërë si filozof kudo dhe duke gjykuar jetën e tjetrit, por pastroni shpirtin nga mëkatet që bëni çdo ditë!
Jetoni jetën tuaj sepse çdo ditë është një risi e papërsëritshme dhe nëse nuk bëni dot mirë, të paktën mos bëni keq!
E mos harroni se sa jetë mund të kishim shpëtuar po të tregonim pak mirësi!