Pochettino mbërrin në Manchester dhe nis aventurën e re te United
Mauricio Pochettino u nis me avion nga Cincinnati rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës, pasi kishte drejtuar ndeshjen e fundit në krye të Kombëtares së SHBA-së, në fitoren 2:0 ndaj Haitit.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri argjentinas kreu obligimet e tij me mediat dhe u përshëndet me bashkëpunëtorët, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.
Por, një sfidë e re e priste tashmë. Tetë orë pas nisjes, Pochettino mbërriti në Manchester dhe, rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, u paraqit në qendrën stërvitore të Carringtonit, për të nisur zyrtarisht punën si trajner i Manchester Unitedit.

I veshur me trenerkën e zezë të klubit dhe me një buzëqeshje në fytyrë, ai mbërriti në kompleksin stërvitor me një automjet Grenadier, i gatshëm për të nisur angazhimin e ri.
“Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Është nder dhe privilegj të jem pjesë e këtij klubi të jashtëzakonshëm. Mezi pres të nis punën”, deklaroi Pochettino.
Për trajnerin argjentinas, marrja e drejtimit të Manchester Unitedit shënon fillimin e një kapitulli të ri, në një klub me të cilin, sipas prezantimit të tij, ka pasur prej kohësh një lidhje të veçantë.
