Pianistja nga Gjilani, Fatjona Maliqi mahnit publikun gjerman në Kalanë e Neckarhausen
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi ka dhënë një koncert të veçantë në Kalanë historike të Neckarhausen në Gjermani, ku u prit me duartrokitje të gjata dhe atmosferë të ngrohtë nga publiku i pranishëm.
Në një reagim pas mbrëmjes artistike, Maliqi tha se interpretimi në këtë ambient unik ka qenë një përvojë e paharrueshme.
“Atmosfera ishte me të vërtetë e veçantë dhe u preka thellë nga thirrjet ‘Bravo!’ dhe duartrokitjet e përzemërta”, u shpreh artistja nga Gjilani.
Ajo theksoi se pikërisht këto momente tregojnë fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit dhe për të lënë gjurmë që mbeten gjatë në kujtesë. Maliqi falënderoi komunën Edingen-Neckarhausen, shtetin gjerman Baden-Württemberg dhe organizatorin z. Grosch për mikpritjen dhe kujdesin në realizimin e koncertit.
“Këto kujtime do t’i mbaj me vete për një kohë të gjatë”, shtoi ajo.
Performanca e pianistës nga Gjilani shënon një tjetër paraqitje të suksesshme të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare, duke e promovuar kulturën dhe talentin shqiptar para publikut evropian.
