Gjilani nis sezonin me fitore, triumfon 3-1 ndaj Feronikelit 74’
Gjilani e ka nisur në mënyrën më të mirë edicionin e ri të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke marrë tri pikët e para në udhëtim ndaj Feronikelit 74’.
Skuadra gjilanase triumfoi 3-1 në ndeshjen e javës së parë, duke treguar efikasitet dhe qetësi në momentet vendimtare të takimit.
Mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e 7-të. Granit Jashari e gjeti rrjetën për 1-0 dhe i dha Gjilanit avantazhin e hershëm.

Vendasit patën mundësinë për të barazuar, madje shënuan përmes Indrit Prodanit, por goli u anulua pasi në aksion u evidentua prekje me dorë nga sulmuesi Ivan Delic.
Gjilani e kontrolloi lojën dhe në fillim të pjesës së dytë goditi sërish. Në minutën e 48-të, Hamdi Namani shënoi për 2-0, duke e rritur epërsinë e ekipit nga Gjilani.
Fitorja u bë edhe më e sigurt në minutën e 84-t, kur Bleart Tolaj realizoi nga pika e bardhë për 3-0.
Feronikeli 74’ arriti të ngushtojë rezultatin në fund të takimit. Shpresim Zogu ishte i saktë nga penalltia në minutën e 89-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Kështu, Gjilani e nis kampionatin e ri me tri pikë të plota, ndërsa Feronikeli 74’, pas rikthimit në elitën e futbollit kosovar, pëson humbje në ndeshjen e parë të sezonit.
