Gjilani mposht Malishevën në derbin dramatik: Arjol Bllaca, lojtari i ndeshjes (Man of the Match)
SC Gjilani ka fituar derbin ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Kosovës, në një ndeshje me pesë gola dhe shumë emocione.
Skuadra gjilanase e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 11-të, kur Arjol Bllaca shënoi pas asistimit të Ardian Limanit për 1-0.
Malisheva barazoi në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 47-të, Valmir Nafiu realizoi për 1-1, pas pasimit të Rimal Haxhiut.

Mysafirët patën rastin të kalonin në epërsi në minutën e 73-të, kur fituan penallti, por goditjen e Nafiut e priti portieri Marijan Coric.
Gjilani e shfrytëzoi këtë moment dhe në minutën e 78-të Arjol Bllaca shënoi golin e dytë personal për 2-1.
Pesë minuta para fundit të kohës së rregullt, Bllaca asistoi për Bleart Tolajn, i cili realizoi golin e tretë të vendasve.
Malisheva arriti ta ngushtonte rezultatin në 3-2 në minutën e 92-të, me golin e Xhemajl Ibishit, por nuk pati kohë për të shmangur humbjen.
Me këtë fitore, Gjilani arrin në 22 pikë dhe ngjitet në vendin e katërt, ndërsa Malisheva mbetet e dyta me 27 pikë, dy më pak se liderja Prishtina, që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
