PDK-ja në Gjilan shpreh ngushëllime për familjen Isufi: Bajrami la gjurmë në jetën politike dhe institucionale të qytetit
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka shprehur ngushëllime për familjen Isufi, pas ndarjes nga jeta të Bajram Isufit.
Në telegramin e ngushëllimit, kjo parti ka vlerësuar kontributin e tij ndër vite në strukturat e PDK-së, në institucionet komunale dhe në ndërmarrjet publike të Gjilanit, duke e kujtuar si koleg dhe bashkëpunëtor të përkushtuar.
Më poshtë, TV Gjilani publikon të plotë telegramin e ngushëllimit:

TELEGRAM NGUSHËLLIMI
E nderuar familje Isufi,
Lajmi për ndarjen e parakohshme dhe të papritur nga jeta të më të dashurit tuaj, Bajram Isufi, ishte një goditje e rëndë dhe një dhimbje e madhe për familjen, miqtë, si dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër.
Në këto momente të rënda, Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndan dhimbjen e thellë me familjen Isufi.
Bajram Isufi do të kujtohet gjithmonë me respekt të veçantë si ish-koleg dhe bashkëpunëtor i palodhur ndër vite. Ai la gjurmë të pashlyeshme me kontributin e tij të çmuar në strukturat e PDK-së, në institucionet komunale dhe në ndërmarrjet publike të Gjilanit.
Ai ndoqi me nder traditën e lavdishme të familjes së patriotit Idriz Seferi, duke i shërbyer atdheut me përkushtim në çdo periudhë.
Humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë komunitetin tonë.
I lehtë qoftë dheu i tokës së Kosovës!
Lamtumirë, Bajram!
