SC GJILANI NË DERBIN E JAVËS NDAJ DUKAGJINIT, PËRMBYLL XHIRON E 11-TË NË SUPERLIGË
Gjilan – SC Gjilani zhvillon sot ndeshjen kryesore të xhiros së 11-të në Superligën e Kosovës. Skuadra gjilanase udhëton për në Klinë ku nga ora 17:00 përballen me Dukagjinin në stadiumin “18 Qershori”.
Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, e zhvilluar në Gjilan, ishte mbyllur në barazim 2-2. Tani SC Gjilani hyn në këtë përballje nga pozita e pestë me 18 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i gjashti me 17 pikë, duke e bërë këtë duel të rëndësishëm për garën për vendet e sipërme të tabelës.
Para derbit në Klinë, programi i së dielës nis me ndeshjen mes Malishevës dhe Feronikelit 74 në stadiumin “Liman Gegaj” nga ora 13:00. Malisheva hyn në këtë takim si lidere e Superligës me 26 pikë, ndërsa Feronikeli 74 është i shtati me 11 pikë.

Rezultatet e tjera të xhiros së 11-të
Xhiroja e 11-të kishte nisur më herët me këto rezultate:
Ballkani mposhti Drenicën 4-0, Prishtina triumfoi si mysafire ndaj Llapit 1-0, ndërsa FC Drita fitoi dje ndaj Vushtrrisë 3-1.
Me këto ndeshje përmbyllet java e 11-të në elitën e futbollit kosovar.
