Zeka merr “timonin” e SC Gjilani: Trajneri i ri po ngroh stolin para zyrtarizimit
GJILAN – Duket se ndryshimi në stolin e SC Gjilani është më shumë se sa thashethem.
Zekirija “Zeka” Ramadani sot ka qenë prezent në ambientet e klubit gjilanas, ku ka përcjellur dhe madje ka drejtuar stërvitjen e së premtes me lojtarët dhe një pjesë të shtabit të ri teknik.

Ndonëse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga klubi, emri i trajnerit shkupjan prej ditësh është lakuar si “shefi i ri” i bankinës gjilanase.

Dhe siç duket, ai nuk ka pritur letrën me vulë për të filluar punën. Në orët e mbrëmjes ishte sërish në përgatitje me ekipin para sfidës së radhës.
Burime të caktuara bëjnë të ditur se të shtunën pritet zyrtarizimi i marrëveshjes mes Zekës dhe SC Gjilani.
E vetmja dilemë që mbetet e pazgjidhur për momentin nuk është taktika apo formacioni… por banesa.
Ende nuk dihet nëse trajneri shkupjan është zhvendosur nga apartamenti që e përdorte kur drejtonte rivalin lokal, nëse ka ende kontratë për të njëjtën banesë, apo nëse do të bëjë rrugën në itinerarin “Shkup – Gjilan” çdo ditë derisa të gjejë akomodim të ri.
Një gjë është e sigurt: “timoni” i ri i SC Gjilani tashmë është në dorën e tij
