ARTISTI HAJRUSH FAZLIU: KOLONIA NË IZMIR BASHKOI ARTISTËT E BALLKANIT ME BRIGJET E EGJEUT
IZMIR/PRISHTINË/GJILAN, 30 Shtator 2026 – Artisti i njohur kosovar, Prof. Hajrush Fazliu, ka marrë pjesë në Koloninë Artistike Ndërkombëtare “Balkanlardan Ege Kıyılarına”, e mbajtur në Gümüldür–Izmir, ku u bashkuan artistë nga disa vende të Ballkanit dhe Turqisë.
Në një postim, Fazliu theksoi se kolonia krijoi ura të reja miqësie e bashkëpunimi përmes artit.
“Arti nuk njeh kufij”

Në këtë edicion morën pjesë artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia.
Fazliu shprehu mirënjohje të veçantë për kuratoren dhe organizatoren Aynur Kaplan, për vizionin, përkushtimin dhe mikpritjen, si dhe për İsmail Vatansever dhe Özge Koyun, për mbështetjen dhe kontributin e çmuar në realizimin e këtij edicioni.
“Pata nderin që, në emër të artistëve pjesëmarrës, të përcjell falënderimet tona në hapjen e ekspozitës. Arti nuk njeh kufij: ai bashkon njerëz, kultura dhe popuj”, shkroi artisti.
Ai uroi që kjo nismë të shndërrohet në një traditë të bukur të bashkëpunimit kulturor ndërmjet gjithë vendeve të Ballkanit dhe Turqisë, si vend strategjik që lidhë dy qytetërimet, atë perëndimor dhe oriental.
“Urojmë që kjo nismë të shndërrohet në një traditë të bukur të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Ballkanit dhe Turqisë”, përfundoi Prof. Hajrush Fazliu.
