Nxënësit e Gjilanit mësojnë si të veprojnë në raste emergjente, aktivitetet vazhdojnë në shkolla
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me institucionet relevante, po zhvillon aktivitete edukative në shkollat e qytetit, me synim përgatitjen e nxënësve për reagim të duhur në situata emergjente.
Një aktivitet i tillë është realizuar sot në SHFMU “Abaz Ajeti”, ku nxënësit dhe personeli arsimor kanë pasur mundësi të njihen nga afër me përgjegjësitë dhe mënyrat e veprimit të institucioneve që angazhohen në menaxhimin e rasteve emergjente.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, Policinë e Kosovës, Kryqin e Kuq dhe Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Përmes prezantimeve dhe demonstrimeve praktike, nxënësve iu shpjeguan veprimet që duhet të ndërmerren në raste të ndryshme rreziku. Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq demonstruan teknikat themelore të ndihmës së parë, Policia prezantoi detyrat e saj në situata emergjente, ndërsa zjarrfikësit shpalosën pajisjet dhe mënyrat e intervenimit në raste zjarresh, aksidentesh, vërshimesh dhe tërmetesh.

Këto aktivitete synojnë që njohuritë për sigurinë dhe parandalimin e rreziqeve të mos mbeten vetëm në nivel teorik, por nxënësit të fitojnë edhe shkathtësi praktike për të reaguar me kujdes dhe përgjegjësi kur përballen me situata të paparashikuara.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim do të vazhdojë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme edhe në ditët në vijim, duke përfshirë shkollat e tjera të Komunës së Gjilanit.

